Shqiperia

“Ballkani në BE”, kryeparlamentarët: Të vijojë zgjerimi i unionit

Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE do të kontribuonte në një Europë të fortë e të stabilizuar.

“Blloku duhet të nisë negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në muajin qershor, e ta njohë punën e madhe të bërë nga të dyja këto vende në drejtim të reformave demokratike”, deklaroi kryetarja e Parlamentit letonez, Inara Murniece, gjatë konferencës së përvitshme të krerëve të parlamenteve të vendeve të BE-së, të mbajtur në Vjenë.

BE-ja, sipas saj duhet të jetë aktive në rajonin e Ballkanit Perëndimor për të asistuar reformat demokratike, e për të parandaluar kërcënimet dhe dezinformimin.

“Po i shohim cilat janë qëllimet e luftës së informacionit nga Kremlini”, deklaroi Murniece.

“Megjithatë, për t’i bërë realitet përpjekjet e integrimit në vendet e rajonit është e rëndësishme që ata të vazhdojnë reformat, të rrisin lirinë e medies, të mbështesin pozicionet e bllokut në çështjet e jashtme e të krijojnë marrëdhënie të mira fqinjësore”, shtoi ajo.

Konferenca, që përmbylli takimin e mbajtur në datat 8 dhe 9 prill në Vjenë, bëri thirrje për vazhdimin e procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Duke iu referuar rritjes së pranisë së aktorëve të jashtëm në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, sidomos Kinës, Brukselit iu drejtua apeli që të vazhdojë promovimin e vlerave të veta dhe të mbrojë interesat e tij në rajon, sepse siç thanë pjesëmarrësit, “ky është një investim në paqe, demokraci dhe siguri”.

Kryetarët riafirmuan për çdo rast se procesi i zgjerimit duhet të bazohet në përmbushje të plotë të kritereve të anëtarësimit.

OPINIONE