Banda e kasafortave, pjesë edhe ish-polici që favorizonte hajdutët dhe i riu me precedentë penalë (fotot)

“Forca e Ligjit” goditi dje një grup të strukturuar kriminal, anëtarët e të cilit, nën kërcënimin e armëve, vidhnin kasaforta në biznese të ndryshme në Tiranë dhe në disa qytete të tjera të vendit. Policia arrestoi 5 persona, si dhe sekuestroi automjete, armë zjarri, lëndë narkotike, veshje, portofola me stema Policie e pajisje të tjera të përdorura për realizimin e grabitjeve, 11 prej të cilave të dokumentuara. Pas një pune disamujore me metoda speciale të hetimit, Sektori i Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në Policinë e Tiranës, në bashkëpunim me komisariatet dhe nën drejtimin e Prokurorisë, finalizoi operacionin policor të koduar “Kasaforta”.

Pjesë e grupit që realizonte grabitje ishte edhe Valmend (Gjon) Pelivani, i cili u arrestua dje nga Policia.

Gjon Pelivani

Në muajin shkurt të këtij viti, ai mbeti i plagosur me armë zjarri, bashkë me një shokun e tij, pas një sherri me armë në zonën e Selitës në Tiranë.

Pas ngjarjes, ai u arrestua nga Policia në ambientet e Spitalit të Traumës, por qëndroi vetëm pak kohë në qeli.

Por edhe më herët, ai ka qenë i skeduar nga Policia e kryeqytetit. Në vitin 2015 ai u bë protagonist i dy ngjarjeve, në fillim dhe në fund të vitit.

Një herë si i dëmtuar dhe më pas si autor i një ngjarjeje, për të cilën edhe u arrestua bashkë me një polic burgjesh.

Në janar të vitit 2015, Pelivani mbeti i plagosur në ambientet e një qendre tregtare te “Rruga e Kavajës”, ngjarje për të cilën u arrestua vëllai i Gilmando Danit.

ISH POLICI

Pjese e grupit ishte edhe ish-polici Engrid Hënaj, 31 vjeç, i dënuar më parë për shpërdorim detyre.

Disa ditë më parë, gazeta “Panorama” botoi vendimin e Gjykatës së Tiranës, që kishte dënuar me një vit e shtatë muaj burg një ish-inspektor të Policisë së Shtetit, pasi kishte ndihmuar një të kërkuar për vjedhje.

Bëhet fjalë për ish-efektivin e “Shqiponjave”, Engrid Hënaj, i cili u shpall fajtor për “shpërdorim detyre”, pasi kishte ndihmuar dhe komunikuar gjatë kohës që ka qenë në kërkim, me shtetasin e arrestuar për vjedhje në kuadër të operacionit “Summer 2017”, Fatjon Lila.

Hënaj u arrestua sërish dje nga Policia e Tiranës, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal që vidhte kasaforta. Ai kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu, ku kishte qëndruar për afro 8 muaj. Burime nga Policia thanë se si provë që e implikon atë në grabitjet e kryera, është karta e tij e identitetit, e gjetur në një prej makinave të sekuestruara.

Megjithatë, vetë ish-polici ka pretenduar se nuk ka lidhje me grupin e grabitësve, por kartën e tij të identitetit ia kishte dhënë një shokut të tij për të marrë një makinë me qira, pasi ai i kishte thënë se nuk e merrte dot me emrin e vet.

HETIMI

Nga hetimet rezulton se ky grup i strukturuar krimi nal, në periudha të ndryshme kohore, ka vjedhur me armë kasaforta me vlera monetare të bizneseve të ndryshme, jo vetëm në juridiksionin e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, por dhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Për realizimin e këtyre ngjarjeve, këta shtetas lëviznin gjatë orëve të vona të natës të armatosur, përdornin automjete të vjedhura dhe të marra me qira, duke u ndihmuar dhe nga persona të tjerë.

Nga puna hetimore është bërë i mundur dokumentimi ligjor i disa ngjarjeve të ndodhura në kryeqytet, por dhe në qytete të tjera si Durrës, Kavajë, Laç, Lezhë dhe Berat, konkretisht i 11 ngjarjeve.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne