Bangladesh – Spitali turk vazhdon të trajtojë myslimanët Rohingya në kampin Cox’s Bazar

Një spital fushor i financuar nga Turqia në kampet e refugjatëve Rohingya në Bangladesh ka trajtuar rreth 100 mijë refugjatë gjatë shtatë muajve të fundit.

Spitali në qarkun juglindor të qytetit Cox’s Bazar ka operuar që nga muaji shkurt, pasi Kryeministri i atëhershëm turk, Binali Yıldırım, vizitoi kampet e refugjatëve që ndodhen rreth 40 kilometra larg qendrës së qytetit.

Objekti posedon 50 shtretër në tetë çadra dhe ka operuar nga Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD) mbi një sipërfaqe prej 1.000 metër katrorë.

Katër mjekë të përgjithshëm, shtatë specialistë dhe 17 ndihmës të kujdesit shëndetësor punojnë në spital. Përveç kësaj, spitali ka një ekip lokal prej 25 personash që ofrojnë shërbime të pastrimit, sigurimit dhe kujdesit shëndetësor.

Autoritetet turke gjithashtu e kishin zgjeruar spitalin duke shtuar një njësi të kujdesit intensiv, repartin e lindjes, seksionin e kirurgjisë së përgjithshme, departamentet pediatrie dhe ortopedike, si dhe një laborator.

Shefi ndihmës i spitalit, Yasin Şahin Oğuz, tha se, “Jemi një spital fushor, por ne shërbejmë si një institucion i kujdesit shëndetësor dytësor”.

Oğuz tha se më shumë se 90 mijë pacientë janë trajtuar në vend dhe më shumë se 500 janë operuar, duke shtuar se të paktën 10 pacientë u trajtuan me plagë plumbash.

Disa nga refugjatët po ashtu kanë histori shpirtërore, thotë Oğuz, duke shtuar se “dua të flas për një pacient që nuk mund ta harroj”.

“Një ditë, një fëmijë 15-16 vjeçar erdhi me plagë të rënda. Historia e fëmijës pati mjaft ndikim. Trupat e Mianmarit hapën zjarr. Një plumb hyri në pjesën e përparme të djalit dhe nga maja e qafës së tij. Fatkeqësisht ai u paralizua. Ai pësoi plagë të rënda dhe nuk ishte shëruar plotësisht. Specialisti ynë ortopedik ka bërë punën e tij dhe gjendja është mirë tani”, rrëfen Oğuz.

Oğuz shpjegon se problemet më të zakonshëm për refugjatët Rohingya janë infeksionet e lëkurës. Por, mjekët shohin fëmijët që vuajnë nga astma dhe bronkit, ndërsa të rriturit nga diabeti dhe sëmundje gastrointestinale.

Oğuz më tej theksoi se higjiena e dobët dhe mungesa e ujit të pastër në kamp janë fajtorët kryesorë për shumë nga sëmundjet. “Unë mendoj se shkaqet kryesore të promblemeve shëndetësore të refugjatëve Rohingya janë ndotja e ujit dhe shprehitë e tyre të ushqimit”, tha Oğuz, duke shtuar se sezoni i shirave monsunë “gjithashtu po sjell rrezikun e përhapjes së sëmundjes”.

Ai thotë se përzierja e gjendjes së pacientëve në vend është mënyra se si njerëzve Rohingya, më të persekutuar dhe më të zhvendosurit në botë, u mohohet e drejta e tyre për kujdesin shëndetësor.

“Një popullatë, që i është mohuar qasja në kujdesin shëndetësor, është tubuar në një kamp të vogël, gati një milion refugjatë jetojnë në krye të njëri-tjetrit. Kështu sëmundjet ngjitëse po përhapen shumë lehtë dhe shumë shpejtë”, tha Oğuz.

Ai tha se spitali tashmë ka parë shpërthime të fruthit, difterisë dhe shytave.

“Pra, këto sëmundje të parandalueshme nga vaksina po përhapen shumë shpejt nga personi në person”, tha ai, duke bërë thirrje për më shumë ndihmë ndërkombëtare për të përmirësuar higjienën “nën standard” të kampeve.

Në sezonin e shirave mosunë, ka shumë diarre akute ujore, sidomos tek fëmijët më të vegjël se 5 vjeç, por edhe tek të rritur, thotë Oğuz

Që nga 25 gushti i vitit 2017, sipas Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar Ontario (OIDA), më shumë se 24 mijë myslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit.

“Më shumë se 34 mijë Rohingya u hodhën në zjarr, ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën”, thuhet në raportin e OIDA-s, duke shtuar se 17.718 gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit. Po ashtu theksohet se mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën dhe 113 mijë të tjera u vandalizuan.

Sipas Amnesty International, më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht fëmijë dhe gra, kanë ikur nga Mianmari dhe kanë kaluar në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit nisën një goditje ndaj komunitetit pakicë myslimanë.

Populli Rohingya, i përshkruar nga OKB si më i përndjekur në botë, është përballur me frikën e rritur të sulmit, pasi dhjetëra u vranë në dhunën komunale në vitin 2012.

OKB ka dokumentuar përdhunimet në masë, vrasjet, duke përfshirë edhe foshnjat dhe fëmijët e vegjël, rrahjet brutale dhe zhdukjet e kryera nga forcat shtetërore të Mianmarit. Në një raport, hetuesit e OKB-së thanë se shkeljet e tilla mund të kenë përbërë krim kundër njerëzimit. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne