Shqiperia

Bardhi: Tahiri, të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë, ose të shkojë bashkë me Ramën në burg

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka komentuar vendimin e djeshëm të Gjykatës, e cila çoi rikthehu në pikën zero çështjen ‘Tahiri’.

Teksa u pyet nga gazetarja Nisida Tufa në emisionin ‘Kjo javë’ në ‘News24’ se si e sheh këtë vendim, ai theksoi se në këtë rast nuk u dha drejtësi.

Mes të tjerash demokrati shtoi, se ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, duhet të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë, ose të shkojë bashkë me kryeministrin Edi Rama në burg.

PJESE NGA INTERVISTA

Dua të sjell tani, në vëmendje vendimin për ish-Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. U prish vendimi i shkallës së parë, çka do të thotë që kthehet nga fillimi rishqyrtimi për çështjen “Tahiri”. Si e patë këtë vendim për drejtësinë shqiptare?

Gazment Bardhi: Është një vendim që nuk dha drejtësi. Faktet dhe provat për ministrin kampion të Edi Ramës, janë publike. Zoti Tahiri do të duhet të ishte dënuar prej shumë kohësh dhe do të duhet të ishte duke vuajtur dënimin për gjithçka bëri nën urdhrat dhe porosinë e veçantë të Edi Ramës, gjatë kohës që ishte Ministër i Brendshëm. Veprime të kundraligjshme, krìminale, të cilat, edhe sot e kësaj dite, kanë pasojat e tyre në shoqërinë shqiptare. Sot, Shqipëria është vendi që tregohet me gisht si furnizuesi më i madh i kanābisit në Europë dhe është vend tranzit për drogat e forta. Kjo është meritë e ministrit kampion të Edi Ramës dhe qeverisë së Edi Ramës.

Zoti Tahiri vijon të thotë me forcë se nuk ka asnjë faj, por mban mbi supe koston politike për detyrat që ka mbajtur.

Gazment Bardhi: Nëse zoti Tahiri me këtë shprehje nënkupton se ka zbatuar porosinë politike të Edi Ramës për të lejuar kanābizimin e vendit, Kodi i Procedurës Penale i njeh atij mundësinë për t’u bërë bashkëpunëtor i drejtësisë dhe kjo do të ishte një gje e ndershme në shërbim të qytetarëve. Të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë dhe të tregojë kush e ka urdhëruar, si është urdhëruar dhe kush ia ka vënë mbi tavolinë projektin për të kanabizuar Shqipërinë dhe për ta kthyer në prodhuesin më të madh të kanābisit në Europë.

Sipas mendimit tuaj, a ka një kosto politike Saimir Tahiri?

Gazment Bardhi: Saimir Tahiri është bashkëpunëtor i Edi Ramës në këtë proces. Unë nuk mendoj se ka kosto politike. Ka zgjedhur me vetëdije të jetë pjesë e këtij projekti krìminal, e ripërsëris, të hartuar dhe të vënë në jetë nga Edi Rama. Pra, nuk ka kosto politike. Do të duhet të mbajë kosto personale për zgjedhjen personale që bëri për t’iu bindur këtij urdhri dhe projekti krìminal të Edi Ramës.

Si e patë Tahirin dje para medias, në ç’kushte, në ç’pozita? Të zënë ngushtë apo jo? Sepse foli me tone të forta, por jo me fjale të koduara, siç e kemi parë në raste të tjera.

Gazment Bardhi: Une e pashë zotin Tahiri si një person që është i vetëdijshëm për krìmin që ka kryer, por kërkon t’i japë mesazh shefit të tij dhe bashkëpunëtorit të tij në këtë krim se, nëse ai do të dënohet, do të duhet të shkojnë bashkarisht në qelinë e burgut./Tpz

OPINIONE

INTERVISTA