Raporti/ Shqipëria shkel ‘rregullisht’ të drejtat e punëtorëve

Nga Nensi Bogdani

Trendi i qeverive për të reduktuar të drejtat e punëtorëve nëpërmjet ndalimit të së drejtës për të protestuar, si edhe për t’u organizuar në sindikata është përkeqësuar gjatë vitit 2020,ku është shënuar një rritje e numrit të shteteve të cilat ndalojnë regjistrimin e sindikatave të punëtorëve.

Sipas Indeksit të të Drejtave Globave të publikuar prej Konfederatës Ndërkombëtar të Sindikatave. (ITUC), identifikimi i këtij trendi gjatë 2020s ka nxjerrë në pah skandale të survejimit të qeverive kundrejt liderëve të sindikatave, në përpjekje për të mbjellë frikë dhe për të ushtruar presion në to dhe mes anëtarëve të tyre.

Raporti radhit 144 shtete të ndryshme në terma të respektimit të të drejtave dhe përfaqësimit të punëtorëve.

“Shpeshherë këto presione nga ana e qeverive si edhe mosrespektimi i të drejtave të punëtorëve duke mos pranuar një marrëveshje sociale i ka ekspozuar punëtorët kundrejt sëmundjeve dhe vdekjeve dhe i ka lënë disa shtete të pa afta për të luftuar situatën e pandemisë në mënyrë të efektshme”, shkruhet në raportin e publikuar prej ITUC.

“Numri i shteteve të cilat iu është ndaluar regjistrimi i sindikatave është rritur prej 86 vendeve që numëroheshin në vitin 2019 duke kaluar në 89 shtete në vitin 2020” raportohet në Indeksin e të Drejtave Globale.

Konfederata Ndërkombëtare e Sindikatave (IUTC) është e përbërë prej 332 organizatave në 163 vende dhe territore të 5 kontinenteve.

Indeksi i të Drejtave Globale publikuar prej kësaj konfederate hedh dritë mbi vendet më të këqija për klasën punëtore duke kategorizuar 144 shtete në një shkallë nga 1 deri në 5+ bazuar në nivelin e respektimit të të drejtave të punëtorëve.

Shqipëria renditet ndër vendet e grupimit me indeksin 3 – “Shkelje e rregullt e të drejtave”. Sipas përkufizimit të indeksit, shtetet e grupit 3 karakterizohen nga një klimë ku qeveria dhe kompanitë ndërhyjnë rregullisht në të drejtat kolektive të punës ose dështojnë në garantimin e aspekteve të këtyre të drejtave. Këto shkelje bëhen për shkak të boshllëqeve ligjore apo mungesës se disa praktikave të garantimit të të drejtave të punës.

Në muajt e fundit në Shqipëri ka pasur disa protesta dhe greva nga punëtorë të rajoneve të ndryshme, siç është rasti i naftëtarëve të Ballshit apo minatorëve të Bulqizës, të cilët në mënyrë konstante kërkojnë nga punëdhënësit dhe qeveria Shqiptare të mos anashkalohen të drejtat kolektive të tyre.

Gjithashtu, sindikatat në Shqipëri raportojnë praktika anti-unioneve të cilat janë akoma të përhapura në vend.

“Sipas të dhënave të 2018 të Konfederatës së Sindikatave në Shqipëri (KSSH), punëtorët privat apo publik që nuk i përkasin sindikatave gjithashtu përjetojnë diskriminime,  dhe shpeshherë punëtorët që tentojnë të marrin pjesë në greva zëvendësohen nga të tjerë”, shkruhet në Indeksin e IUTC lidhur me situatën në Shqipëri.

Ndërsa në rang global, sipas indkesit Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore identifikohen si rajonet më të këqija në botë për punonjësit për 7 vite rresht,. Konfliktet në Palestinë, Siri, Jemen dhe Libi, gjithashtu e kanë përkeqësuar tendencën regresive të këtyre vendeve në përfaqësimin e të drejtave të klasës punëtore.

Nga raporti i publikuar duket se 85% e shteteve ne rang global kanë shkelur të drejtën e grevës, 85% kanë shkelur të drejtën e marrëveshjeve kolektive, ndërsa numri i vendeve që ndalojnë regjistrimin e sindikatave vijon të rritet.

Vendet më pak dashamirëse për klasën punëtore në 2020 sipas indeksit janë Bangladeshi, Brazili, Kolumbia, Egjipti, Hondurasi, India, Kazakistani, Filipinet , Turqia dhe Zimbabve.

“Punëtorët kanë përjetuar arrestime në 61 shtete. Ndërkohë që vendet që renditen me shkallën më të lartë të arrestimeve sipas liderëve të sindikatave janë Indonezia, Korea dhe Turqia”, shkruan Sharan Burrow, Sekretar i Përgjithshëm i IUTC në publikimin e indeksit global.

Në shtetet Europiane gjithashtu lëvizjet e shoqërisë civile dhe protesta të ndryshme janë ndaluar dhe shpërndarë nga autoritetet përkatëse, duke përfunduar në arrestime të shumta dhe dhunë, ndërsa në Europën Lindore sindikatat janë shtypur vazhdimisht.

“Gjatë 2020 grevat janë kufizuar apo ndaluar në 123 nga 144 shtete”, shton Burrow.

Kriminalizimi i të drejtës së grevës vihet re në 85% të shteteve të indeksit, ndërkohë që 74% e përjashtojnë klasën punëtore nga mbrojtja në punë, dhe 72% e shteteve të indeksit i ndalojnë punonjësve aksesin në drejtësi./ BIRN//Tpz/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne