Basha me misionin e OSBE-ODIHR: Zgjedhjet në rrezik, KQZ e njëanshme

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti në një takim pjestarë të misionit të OSBE-ODIHR, Richard Lappin, zëve​ndëskryetar i Departamentit të Zgjedhjeve, Ana Rusu, këshilltare për zgjedhjet, Alexey Gromov, këshilltar për zgjedhjet, Francesco Pagani, kreu i këshilltarëve politikë në Asamblenë Parlamentare të OSBE.

Ky mision i OSBE gjendet në Tiranë për të analizuar situatën parazgjedhore.

Kryetari i Partisë Demokratike i njohu me shqetësimet e opozitës që kanë të bëjnë me rrezikun real që i kanoset zgjedhjeve, votës së lirë.

Basha tha se zgjedhjet janë në rrezik nga qeveria, e cila nuk zbaton dekriminalizimin dhe vazhdon të ndajë pushtetin me kriminelë dhe banditë të njohur.

Zgjedhjet janë në rrezik, tha Basha, nga droga që ka mbuluar vendin dhe nga paratë e këtij trafiku që arrijnë në disa miliardë euro në vit.

Basha theksoi  se krimi është një kërcënim për zgjedhjet e lira e të ndershme.

Sipas tij, qeveria nuk ka reflektuar pas rekomandimeve të fundit të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e vitit 2015 të cilat ishin një hap i madh pas në drejtim të standardeve demokratike.

Kryetari i opozitës vuri në dukje se Edi Rama ka prishur të gjitha zgjedhjet që janë bërë qysh se ai erdhi në pushtet duke dhunuar votën e lirë, përmes blerjes së saj, apo përmes kërcënimit e dhunës.

Gjithashtu, Basha theksoi se KQZ ka treguar anshmëri duke i bërë rezistencë ligjit të dekriminalizimit, duke mbrojtur hapur interesat e Kryeministrit dhe lidhjet e tij me krimin.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne