Basha në Institutin “Hudson” për sfidat kryesore të NATO-s

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ndodhet në SHBA, ku ka folur në një organizim të Institutit “Hudson” në Uashington, një nga më të njohurit në botë për politikat publike dhe të sigurisë.

“Unë vij nga një vend i vogël, nga një rajon që në të kaluarën ka qenë më shumë në luftë sesa në paqe dhe formon një rajon që konsiderohet si vija ndarëse midis Perëndimit dhe Lindjes. Nga këndvështrimi ynë, por jam i sigurtë se edhe nga ai i vendeve të tjera, çdo diskutim rreth bashkëpunimit transatlantik duhet të përballet së pari me disa fakte të rëndësishme. Së pari, Ka kërcënime të qarta dhe aktuale që e bëjnë NATO-n një domosdoshmëri si gjithmonë. Së dyti janë llojet e reja të kërcënime: terrorizmi, sidomos ekstremizmi i dhunshëm; sulmet kibernetike; korrupsioni, krimi i organizuar, rrjetet kriminale transnacionale dhe pastrimi i parave; por gjithashtu fushatat propagandistike dhe dezinformuese. Së treti ekziston nevoja për të balancuar fuqinë në rritje dhe ndërhyrjen ekonomike nga fuqitë jo-perëndimore, të cilat po luftojnë për dominimin ekonomik dhe politik në Evropë në veçanti në rajone si Ballkani”, ka thënë Basha.

Basha ka qenë pjesë e një paneli me eurodeputetët Danjean dhe White, ku ka mbajtur fjalën e tij për sfidat kryesore të NATO-s.

“Me këto kërcënime, angazhimi në NATO duhet të jetë i qartë dhe i vërtetë. Arritja e objektivit 2% të GDP-së është e nevojshme dhe riangazhimi dje nga udhëheqësit e NATO-s për këtë objektiv është me të vërtetë një lajm i mirë. Së fundmi, çdo para që mendohet se po kursehet, duke mos investuar më shumë në NATO, duke dobësuar fuqinë balancuese të NATO-s, do të çojë në destabilizim dhe probleme, rregullimi i të cilave do të kushtojë më shumë sesa kursimet e mosinvestuara në NATO më herët. Pra, s’mund të kursehet një qindarkë sot, për të humbur 100-fish më shumë nesër”, ka theksuar Basha.

Të pranishëm në këtë organizim kanë qenë anëtarë të Kongresit amerikan, senatorë, drejtues të administratës amerikane, akademikë, gazetarë, etj.. Sipas Bashës, uniteti i NATO-s është veçanërisht i rëndësishëm për vendet më të vogla.

“Kur djemtë e mëdhenj debatojnë, djemtë e vegjël janë të frikësuar. Një gjë është shumë e rëndësishme nga perspektiva e vendeve të vogla si i imi: lidhjet e forta dhe qëndrimet e unifikuara të aleatëve amerikanë dhe evropianë janë një domosdoshmëri. NATO do të minonte fuqinë e saj, të perceptuar dhe reale, nëse ka ndarje, nëse ka përplasje dhe nuk ka qëndrime të unifikuara për çështjet më të rëndësishme. Ajo që shpresojmë është se debatet brenda NATO-s do të çojnë në ndryshime të rëndësishme që do të sjellin aleatët më pranë dhe do ta forcojnë NATO-n”, përfundoi Basha.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne