Basha tek banorët e dhunuar: Rama e Veliaj po grabisin pronat

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dënoi dhunën e përdorur nga policia ndaj qytetarëve të Unazës së Re dhe akuzoi qeverinë se po grabit pronën e tyre.

Pas vizitës së banorëve të lënduar në Spitalin e Traumës, Zoti Basha u shpreh:

“Gjendja e tyre vazhdon të mbetet e rëndë. Kam parë disa të moshuar të gjakosur nga dhuna me shkopinj dhe grushte, gra të lënduar nga përdorimi i gazit lotsjellës. Një pjesë e banorëve nuk janë shtruar në spital.

Ky është një bilanc i një goditje të planifikuar nga Edi Rama ndaj qytetarëve të pafajshëm. Ky është një skenar i përgatitur dhe ka një qëllim: të çonte drejt përgjakjes qytetarët për të fshehur vjedhjen në projektin e Unazës së Re.”

Lulzim Basha tha se vendimi i qeverisë për të dërguar policinë me qëllim nxjerrjen e banorëve nga shtëpitë dhe prishjen e tyre është akt kriminal dhe i rëndë kundër jetës së qytetarëve. Basha tha se me ardhjen e opozitës në pushtet, çdo person përgjegjës për këto akte do të përgjigjet para ligjit:

“Të gjithë do të mbajnë përgjegjësi para ligjit. Nuk do të gëzojnë asnjë qindarkë. Opozita ka qenë dhe është në krah të qytetarëve të Astirit. Jemi njësh me ta për të mbrojtur interesin publik.”

Kreu i opozitës tha se qeveria Rama nuk ka asnjë projekt zhvillimi për zonën e Unazës së Re, por po punon thjeshtë për projektin e radhës së vjedhjes dhe grabitjes së pronës së qytetarëve:

“Është e rëndësishme të kuptohet se nuk bëhet fjalë për një projekt zhvillimi. Është një projekt vjedhje i denoncuar nga PD.

Është një projekt vjedhje. Rama nuk kursen qytetarët. Është një krim i rëndë kundër qytetarëve.

Duke dënuar këtë sjellje kriminale, paralajmëroj Edi Ramën dhe Erion Veliajn se do të mbajnë përgjegjësi para ligjit. Ata do të përgjigjen para ligjit.”

Lulzim Basha premtoi se me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike çdo qytetar do të kompensohet për pronën e tij bazuar në çmimin e tregut:

“Kemi një zotim politik me shkrim, çdo metër katror i pronë së tyre do të kompensohet me vlerën e tregut me ardhjen e PD në pushtet.”/ exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne