Prishjet e banesave tek Astiri, shkelje e hapur e ligjit

Nga Alba Mborja

Sot në mëngjes IKMT dhe policia kanë nisur prishjen e banesave tek Astiri, për t’i hapur rrugë projektit korruptiv të Unazës së Re.

Deri më tani IKMT ka shembur 2 ndërtesa. Sipas lajmërimit të saj, pritet të shemben sot në total 33 objekte.

Bazuar në vëzhgimin e transaksioneve të thesarit, nga data 25 korrik deri më 20 tetor 2019, janë kompensuar 11 pronarë, ndërkohë që nuk ka asnjë informacion për 22 objektet e tjera.

E vetmja gjë që dihet është se më 6 nëntor drejtori i ARRSH-së i bëri thirrje banorëve të shpronësuar me VKM, që të paraqisnin dokumentet e nevojshme pranë institucionit:

“Në kuadër të realizimit të projektit “Rehabilitimi i Segmentit Rrugor ‘Pallati me Shigjeta – Rrethrrotullimi Shqiponja’”, njoftojmë të gjithë pronarët e pasurive pronë private, të cilët janë shpronësuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.231 Datë 17.04.2019, të dorëzojnë dokumetacionin për tërheqjen e vlerës për shpronësim, sipas dokumentacionit në vijim.”

Nëse 22 familjet e tjera kanë marrë realisht paratë e shpronësimit, qeveria ka punuar në kohë rekord: brenda 2 ditëve punë, banorët kanë dorëzuar dokumentat, qeveria i ka vlerësuar ato dhe ka autorizuar kryerjen e pagesës në thesar, i cili më pas ka bërë pagesën drejt qytetarëve. E gjithë kjo ka pak gjasa të këtë ndodhur. Por edhe nëse vërtetë ka ndodhur, qeveria sërish është në shkelje të disa ligjeve, siç shpjegohen më poshtë:

Së pari, me shumë gjasa, prishja e ndërtesave është kryer pa i dhënë banorëve dëmshpërblimin sipas afateve ligjore.

Sipas nenit 26, pika 3 të ligjit të Shpronësimit:

“Shpronësimi quhet i pavlefshëm në rast se [..] nuk është kryer pagesa ose vënia në dispozicion të masës së shpërblimit, [..].”

Sipas neni 23 të këtij ligji, shpronësimi duhet të kryhet brenda afatit të treguar në VKM për shpronësimin dhe, “në çdo rast, jo më vonë se 3 muaj nga mbarimi i këtij afati.”

Pika 6 e VKM-së parashikon se “shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në Fletoren Zyrtare”.

Kjo VKM është publikuar më prill 2019 në fletoren zyrtare, dhe sipas afateve të caktuara në ligj, shpronësimi duhet të ishte kryer brenda muajit korrik.

Së dyti, qeveria nuk ka informuar banorët e Astirit për prishjen e banesave. Sipas dëshmive të banorëve, policia dhe IKMT kanë nisur aksionin sot në orën 6:00 të mëngjesit, pa një lajmërim paraprak.

Ky veprim i qeverisë është në shkelje të ligjit për strehimin social, i cili në nenin 6 parashikon:

“Banorët duhet të informohen me shkrim për zhvendosjen dhe arsyet për të cilat bëhet e detyrueshme zhvendosja.

Njoftimi duhet të bëhet 30 ditë para nxjerrjes së aktit të zhvendosjes, akt i cili vetë duhet të lërë të paktën 45 ditë afat deri në ditën e zhvendosjes.”

Së treti, deri tani nuk ka asnjë vendim të bashkisë për strehimin alternativ për familjet që do të zhvendosen nga banesat që IKMT po prish. Banorët thanë se nuk kanë marrë një njoftim të tillë për shembjen e banesave.

Së katërti, banorët të cilët nuk do të marrin shpronësim në para, kanë të drejtën dhe pushteti lokal është i detyruar t’i informojë për të gjitha mundësitë e strehimit alternativ, pra të mundësive të ndryshme për të siguruar strehim, që iu ofrohen nga pushteti lokal pas zhvendosjes, si dhe të kushteve përkatëse për përfitimin nga çdo alternativë strehimi.

Bashkia duhet:

– Të indetifikojë të gjitha mundësitë e strehimit alternativ për këto familje dhe t’i informojë ato me shkrim, së bashku me kushtet e përfitimit të tyre.

– Të vlerësojë dhe miratojë për çdo familje mundësinë e strehimit alternativ që do t’i ofrohet nga Bashkia dhe të njoftojë secilën familje për këtë vendim dhe t’i njoftojë ato 45 ditë para se të lirojnë banesat e tyre.

– T’u japë qytetarëve 30 ditë kohë që të ushtrojnë të drejtën e ankimimit në gjykatë ose të zgjedhin formën e strehimit alternativ që preferojnë.

Pas kryerjes së këtyre hapave, Bashkia duhet të nxjerrë një akt administrativ për zhvendosjen e tyre të paktën 45 ditë përpara afatit të zhvendosjes, në të cilin duhet të jetë informuar edhe mënyra e strehimit alternativ të miratuar nga bashkia.

Për më tepër, sipas ligjit Bashkia e ka për detyrë të ndihmojë dhe financiarisht banorët duke përballuar koston e zhvendosjes së tyre.

Gjithashtu, qeveria dhe bashkia deri më tani kanë bërë të ditur vetëm listën e objekteve të ndërtuara të përjashtuara ngalegalizimi, duke mos marrë pararsysh se e drejta e dëmshpërblimit i përfshin edhe këto banesa.

Një sërë vendimesh të Gjykatës së Strasburgut e pohojnë këtë të drejtë.

Në vitin 2016 ka patur dy raste që kanë konfirmuar këtë qëndrim të Gjykatës së Strasburgut, Ivanova e Cherkezov kundër Bulgarisë dhe Bagdonavicius e të tjerët kundër Rusisë, duke përcaktuar se e drejta shpronësimit shtrihet edhe për banesat e ndërtuara në mënyrë të paligjshme./ exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne