Bashkia zhduk xhaminë e Tabakëve në qendër të Vlorës…

Ndërgjegjësim… nga Alban GORISHTI

Xhamia e Tabakëve rrezikon të zhduket nga kujtesa kolektive dhe nga ato pak dëshmi që i kanë mbetur asaj në qytetin e Vlorës. Për këtë po përdoret një marifet i trashë nëpërmjet vendosjes së shtatores së patriotit Osman Haxhiu. Gjithmonë kam menduar sesi mundet të mposhtet komunizmi: nëpërmjet së kaluarës apo të ardhmes, nëpërmjet teorisë së të tjerëve apo praktikës personale (vuajtjeve për shkak të tij), nëpërmjet mësimeve të humbura apo përvojave të fituara. Duke bërë këtë perifrazim më erdhi ndërmend një foto ilustruese ku në një krah ishin fotot e përbuzjes apo shpërdorimit të të mirave materiale duke i privuar të varfrit prej tyre, ndërsa nga ana tjetër ishte një foto më moderne, ku dukeshin rrobat e shqyera  që njerëzit  mbartnin për modë, ndërsa poshtë si titull ishte vendosur: Kur njerëzit i përbuzën nevojtarët Zoti  ua veshi petkun e varfërisë dhe të nevojës .” Duket se harresa dhe përbuzja e historisë tonë kombëtare (me të mirat apo të këqijat) është një nga viruset më të rrezikshme që na ka shoqëruar përgjatë shekujve. Kjo harresë kolektive është bërë shkak, në këndvështrimin tim, për  rikthimin e ideologjive dhe “patologjive” shtet-rrënuese herë pas here.

Harresa është fatkeqësi kolektive, ndaj desha të denoncoj atë që pashë  në faqen zyrtare të bashkisë Vlorë ku tregohej nga kryetari i bashkisë vlorë inagurimi  i bustit të Osman Haxhiut, një patriot  vlonjat, në  të njëjtin vend ku ka ekzistuar  xhamia e Tabakëve në Vlorë. Xhamia ka qenë madhështore dhe përngjasonte shumë nga pamja me xhaminë e Et’hem Beut në Tiranë mendohet të jetë ndërtuar mbas shek. XVI. Xhamia e Tabakëve shtrihej  nga ana djathtë e rrugës për në spital, mu përballë bashkisë së sotme. Ajo u shemb në vitin 1962 nga regjimi i asaj kohe, ku në pjesën më të madhe të saj u ndërtua një pallat, i quajtur vetëshërbimi,ndërsanë pjesën tjetër kalon rruga .

Për të bërë një retrospektivë të shkurtër më kujtohet se para më tepër se 1 viti gjatë punimeve për rehabilitimin e Qendrës Historike në Vlorë janë zbuluar në muret e kësaj xhamie të vjetër. Moment i rëndësishëm jo vetëm për DRKK-në Vlorë por edhe për myftininë e vlorës e cila u proncua shumë e lumtur atëherë për këtë zbulim, por gjithçka ngeli në kuadrin e fjalëve dhe premtimeve, premtime të cilat garantuan se të paktën një pjesë e mureve do të liheshin në dukje si simbol i ekzistimit të xhamisë dhe fesë Islame edhe në ato vende ku tashmë përkujtimi i lavdisë së dikurshme  është zbehur mjaftueshëm. Kjo nuk është përpjekje për të mohuar  vendosjen e bustit të Osman Haxhiut, por vëndi që kanë  zgjedhur  për të ndërtuar bustin e tij, më la shumë për të dëshiruar në aspektin historik. Nuk e di nëse është përzgjedhur me kujdes dhe qëllim vendi i bustit apo është thjesht një propozim “i rastësishëm”. Por gjithsesi bashkia e ka një pjesë të fajit pasi  është përgjegjëse për neglizhimin e figurës së kësaj xhamie dhe historisë së vjetër të saj  të cilën  gjithë brezi i vjetër  vlonjat e mban  mjaft mirë mend .Ndaj personalisht më duket  si dëshirë për ta ofuskuar kujtimin e asaj xhamie madhështore pikërisht duke e angazhuar kujtesën me ndërtimin e atij busti.Lajmi më befasoi jashtë mase dhe më përçoi  përdhosje për herë të dytë të kujtimit të kësaj xhamie ,herën e parë në mënyrë demonstrative ndërsa herën e dytë si pasojë e neglizhencës klienteliste të disa figurave post rilindase apo qëllimeve dashakeqe të “maniakve”  nihilist të lekut dhe pushtetit . NDaj  mu kujtua sesi puna për rivitalizimin në  atë zonë të memories së vjetër u quajt si rilindja e qendrës historike të vlorës nga vet kryeministri ynë . Por dua të kujtoj  se ajo lagje ka pasur një karakteristikë, XHAMINË, xhami që ka qënë qendra sociale dhe ekonomike e asaj zone në  mos e gjithë qytetit. Muret e saj u zbuluan nga DRKK-ja Vlorë para më tepër se 1 vit më parë ,dhe shumë shpejt u mbuluan me beton ,ndërsa sot aty ngjitur ngritën një statujë duke u përpjekur të “betonizojnë” memorien e kësaj xhamie e cila është simbol për diçka më të madhe ,hyjnoren të cilën sistemi i kaluar u përpoq me çdokusht ta  rëzonte por pa sukses.

E habitshme i gjithë rikonstruktimi i asaj zone të vjetër u krye në emër të identitetit duke lënë mënjanë muret madhështore të xhamisë të cilën e ndërtuan të parët dhe e prishën të pasmit,dhe janë pjesë e identitetit jo fort të largët të asaj zone. Sikur të kishte qënë ndonjë sinagog apo ndonjë kishë e vjetër do të shikoje grupet e ndryshme të interesit të klithnin në të majtë dhe të djathtë për prezervimin e atyre mureve ,po ne si muslimanë çfarë po bëjmë? Ne jemi në një gjendje letargjike por jo biologjike por parimore. Askush nuk u ndje atëhere kur ishte për tu ndier ,por ka akoma kohë pasi punimet nuk janë marrë akoma në dorzim me çfarë kam dijeni, ndaj dua t’i bëj thirrje institucioneve përkatëse ti ruajnë ato mure si simbolikë e prezencës  së dikurshme të besimit edhe në ato zona dhe si ruajtje e memories kolektive në qytetin tonë. Përse  busti i Osman Haxhiut  nuk u ndërtua në sheshin (apo lulishten) përpara bashkisë, si përfaqësues i luftës së Vlorës, por edhe delegat në aktin e pavarsisë së Shqipërisë,por pikërisht aty ku ka qënë xhamia? Personalisht më duket si një përpjekje ideologjike për të vazhduar linjën e vjetër të rënimit të cdo gjëje që të kujton Zotin. Ndërsa nga ana jonë si komunitet musliman vazhdon neglizhenca  gati “Ateiste” e reagimit për rikujtimin e historisë komunitare e cila e lidh popullin tonë me fenë të cilën vet ata e përzgjodhën me dëshirë. Kjo pasi përkujtimi  i atij objekti kulti do të thotë mbi të gjitha  përkujtim i diktaturës më vllavrasëse që ka njohur historia . Një prej simbolikave të xhamisë është pikërisht që ta kujtojë njeriun se diktatura më e rëndë është largimi i shpirtit nga gjërat që ta kujtojnë hyjnoren.

Ndaj me këto rreshta desha më tepër të nxis një ndërgjegjësim për një pjesë të vlerave dhe kulturës tonë shpirtërore, siç  ka qënë edhe xhamia e Tabakëve. Të nxis një retrospektivë ndryshimi në zemrat e gjithsecilit prej nesh ashtu që të kuptojmë se rrënimi  i simboleve të vjetra fetare tregon për njëfarë rënimi të besimit dhe memories që ai mbart, në zemrat e gjithsecilit prej nesh. Dhe mbi të gjitha të kërkoj si qytetar i këtij qyteti (Vlorës), ruajtjen e  mureve ,që dikur u zbuluan, të xhamisë së Tabakeve ,si një projekt jo vetëm qytetar por mbi të gjitha si mision moral, për një vlerë të humbur të qytetit tonë. Ndaj i bëj thirrje institucioneve përkatëse, Kryeministrit, kryebashkiakut etj., që t’i risjellin në dritë bashkë  me infot përkatëse  muret  e xhamisë ashtu siç ishte edhe në projektin fillestar të qeverisë shqipëtare për rikualifikimin  identitar të qendrës historike në Vlorë. Ju  lutem MOS harroni…

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne