BE – Britania nuk do të ketë përfitimet e tanishme pas Brexit

Kryenegociatori i Bashkimit Evropian (BE) Michel Barnier porositi se Britania e Madhe nuk do të mbajë përfitimet e tanishme, përfshirë edhe ato tregtare, pasi ta braktisë bllokun, duke shtuar se Londra doemos duhet të përballet me këtë realitet.

“Nuk mund të ketë statusin e një vendi të tretë dhe të kërkojë privilegjet e Bashkimit Evropian”, tha Barnier në seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg gjatë debatit mbi udhëzimet për kornizën e marrëdhënieve të ardhshme midis BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Ai theksoi se fare nuk ekziston rrugë tjetër nga ajo se autoritetet britanike të përballen me situatën e re.

“Koha është për përballje me faktet e ashpra që janë shumë të qarta”, tha Barnier.

Në fund theksoi se nuk ka opsion tjetër duke marrë parasysh qëllimin e Londrës që të braktis tregun e vetëm dhe unionin doganor të BE-së.

Javën e kaluar në BE refuzuan kërkesën e Kryeministres britanike Theresa May për një marrëveshje të posaçme pas Brexit, duke i ofruar Londrës vetëm marrëveshje për tregti të lirë, pa status të posaçëm për sektorin afarist financiar.

Nga ana tjetër, presidenti i Komisionit Evropian Jean – Claud Juncker i bëri thirrje Kryeministres britanike May që të përshpejtojë negociatat për mënyrën e daljes nga Unioni dhe të definojë ardhmërinë e vendit të saj me 27 vendet tjera anëtare të BE-së.

Britania e Madhe do të largohet nga BE-ja në mars të vitit të ardhshëm, pasi mbi katër dekada ishte anëtare e bllokut më të madh tregtar në botë.

Nëse të dyja palët nuk rregullojnë marrëdhëniet e tyre para Brexit, shkëmbimi i tyre tregtar do t’i nënshtrohet rregullave dhe zakoneve të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT). (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne