Shkeljet flagrante në Akademinë e Arteve Prishtinë

Që prej 2 tetorit të vitit të kaluar, klasa e Fagotit në Akademinë e Arteve të Prishtinës ka pushuar së vijuari orarin mësimor. U bënë plot 5 muaj që në këtë fakultet nuk është mbajtur asnjë orë mësimi për 3 studentët e klasës së Fagotit. Askush nuk mban përgjegjësi për këtë, asnjë deklaratë zyrtare nga Dekani i fakultetit, z. Agim Selimi, asnjë reagim as nga rektori i universitetit z. Marjan Dema.

Por problemet kanë një fillesë po kaq të shëmtuar. Fakulteti nuk ka profesorë fagoti, por ka vetëm komisione vlerësuese që krijohen e rikrijohen vetëm për të prishur punë. Në tetor të vitit 2017 u zhvillua Konkursi për bashkëpunëtorë të jashtëm, në drejtimin Fagot dhe lexim partesh orkestrale. Numri i kandidatëve ishte 2: Orges Malaj dhe Meriton Ferizi. Nga rezultati i Komisionit Vlerësues, kandidati Orges Malaj refuzohet për një banalitet, shkak nostrifikimi i diplomës, kusht i domosdoshëm i konkursit. Kundër-kandidati miratohet nga komisioni, por refuzohet nga Prodekania Florita Arifi, me motivacion numrin e koncerteve ndërkombëtare, sepse në raportin e Komisionit Vlerësues, Orges Malaj, sipas komisionit ka paraqitur vetëm 6 koncerte dhe kundër-kandidati vetëm 4 koncerte. Në vijim, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” shpall konkurs në Shkurt të vitit 2018 për bashkupunëtorë të jashtëm, dega Fagot dhe lexim partesh orkestrale. Edhe këtë herë marrin pjesë sërish të njëjtët kanditatë si herën e parë.

Habia vazhdon: për të njëjtët kandidatë pjesëmarrës, i njëjti komision vlerësimi jep vlerësime në kundërshtim me dokumentat e paraqitura në dosjen përkatëse. Në raportin e Komisionit Vlerësues për konkursin, të zhvilluar në shkurt 2018, Orges Malaj rezulton me 15 koncerte, ndërsa kundër-kandidati me 34.

Përpos gjithë shkeljeve e padrejtësive kundrejt kandidatëve që prezantohen me gjithë dokumentacionin e duhur dhe me seriozitetin e përkushtimin maksimal, turpi më i madh është ai që po u ndodh studentëve: 5 muaj pa mësim dhe asnjë reagim nga rektorati. Deri kur?

Orges Malaj

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne