BE-ja bën thirrje për qartësimin e fakteve pas sulmit ndaj kompanisë saudite të naftës

“Është e rëndësishme të zbardhen qartë faktet dhe pastaj të përcaktohet përgjegjësia për këtë sulm të mjerueshëm. Ky mbetet pozicioni ynë”, deklaroi gjatë konferencës së përditshme për shtyp zëdhënësja e Çështjeve të Jashtme dhe Politikës së Sigurisë të BE-së, Maja Kocijançiç, pasi një gazetar e pyeti se cila ishte arsyeja që Unioni nuk akuzonte Iranin, sikurse kanë bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo vuri në pah se BE-ja lëshoi ​​një deklaratë të dielën duke thënë se “sulmet përbëjnë një kërcënim real për sigurinë rajonale”.

“Në të njëjtën kohë, ne e përsërisim thirrjen tonë për vetëpërmbajtje dhe qetësi maksimale në këto kohë të tensionuara”, shtoi ajo.

Zëdhënësja nënvizoi se sulmet minojnë punën e vazhdueshme për reduktim të tensionit dhe dialog.

Të hënën, huthitët jemenas të mbështetur nga Irani morën përgjegjësinë për sulmet ndaj impianteve të naftës së kompanisë “Aramco”.

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite lufton kundër huthitëve në Jemen që prej vitit 2015. Mijëra qytetarë jemenas janë vrarë dhe vendi është shtytur në prag të urisë nga ky konflikt.

Huthitët, raketat balistike me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi të së cilëve zakonisht interceptohen nga sistemet e mbrojtjes ajrore saudite, muajt e fundit ka vënë në shënjestër disa pjesë strategjike të Arabisë Saudite me dronë të armatosura.

Administrata amerikane akuzoi Iranin për drejtimin e sulmeve në fjalë, ndërsa Arabia Saudite pret rezultatet e hetimit./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne