BE-ja do të fillojë negociatat me vendet afrikane për të pritur qendrat e emigrantëve

Bashkimi Evropian do të fillojë negociatat me vendet e Afrikës për të parë nëse ato janë në gjendje të presin të ashtuquajturat “platforma rajonale zbarkimi” në territorin e tyre, deklaroi të dielën për median gjermane një komisar i Unionit.

Zyrtari gjerman, Gunther Oettinger, komisar evropian për Buxhetin, u prononcua për të përditshmen “Frankfurter Allgemeine Zeitung” se “një marrëveshje e BE-së për të ngritur këto qendra kërkon një marrëveshje partneriteti me vendet në Afrikën e Veriut, të cilat kanë dalje në Mesdhe apo në rajonin e Sahelit”.

“Kjo është ajo që duhet të negociojmë tani”, shtoi ai duke sugjeruar se për këto qendra mund të përdoren gjashtë miliardë euro nga buxheti i BE-së.

Gazeta raporton se Libia, Mali, Nigeri dhe Nigeria shihen si kandidatët më të mirë nga Komisioni, ndonëse Oettinger nuk përmendi asnjë emër.

Kancelari austriak, Sebastian Kurz, vendi i të cilit sapo ka marrë presidencën e radhës së BE-së, deklaroi gjithashtu të dielën se “është e rëndësishme që çdo vend i BE-së të përdorë lidhjet e tij me vendet afrikane për të gjetur një zgjidhje për çështjen e azilkërkuesve në Evropë”.

Ai specifikisht përmendi lidhjen mes Italisë dhe Libisë, si dhe atë të Spanjës me Marokun.

Deri tani, asnjë qeveri e Afrikës së Veriut nuk ka shprehur dëshirën për të pritur këto struktura, madje shumë vende, përfshirë Egjiptin, Libinë dhe Marokun, e kanë kundërshtuar këtë ide./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne