Bashkimi Evropian (BE) shtoi në listën e sanksioneve edhe 4 kompani dhe 2 persona të përfshirë në ndërtimin e urës në Kerç, e cila lidh gadishullin e Krimesë të aneksuar në mënyrë të paligjshme nga qeveria ruse.
Këshilli Evropian njoftoi se masa shtrënguese shtesë u morën kundër disa ndërmarrjeve dhe individëve rusë me arsyetimin se ata kryen veprime që kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës.
Në njoftim thuhet se pasuritë e kompanive në fjalë në vendet e BE-së janë ngrirë, ndërsa qytetarëve dhe kompanive të BE-së u është ndaluar të sigurojnë burime financiare për këto kompani në përputhje me sanksionet.
Në deklaratë rikujtohet se në listën e sanksioneve të BE-së, numri i individëve pasuritë e të cilëve janë ngrirë dhe u është vendosur ndalim udhëtimi është 177, kurse numri i kompanive 48.
Këto sanksione të BE-së përfshijnë një numër të madh të zyrtarëve të lartë rusë dhe separatistë.
Rusia aneksoi në mënyrë të paligjshme Republikën Autonome të Krimesë dhe qytetin e Sevastopolit në vitin 2014. Pas aneksimit të Krimesë dhe ngjarjeve në Ukrainën lindore, BE-ja, SHBA-ja dhe disa vende filluan të vendosnin sanksione ndaj Rusisë./AA