BE: Zgjidhja me dy shtete, e vetmja mes Izraelit dhe Palestinës

“Zgjidhja e vetme reale dhe e qëndrueshme është zgjidhja me dy shtete midis Izraelit dhe Palestinës”, ka thënë Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini në Samitin e Ligës Arabe në Tunizi.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, në Samitin e Ligës Arabe në Tunizi ka ofruar mbështetje për sovranitetin e Sirisë mbi Lartësitë e Golanit, të cilat Izraeli i mban të pushtuara.

Mogherini theksoi se zgjidhja paqësore nuk nënkupton injorimin e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) që ndërlidhen me këtë çështje.

Ajo foli edhe rreth konfliktit izraelito-palestinez, duke theksuar se BE-ja proklamon modelin e zgjidhjes me dy shtete.

“Zgjidhja e vetme reale dhe e qëndrueshme është zgjidhja me dy shtete midis Izraelit dhe Palestinës. Është përgjegjësia jonë që të parandalojmë humbjen e kësaj zgjidhjeje të papërsëritshme”, tha Mogherini.

Diplomatja e lartë evropiane theksoi se Jerusalemi duhet të jetë kryeqyteti i dy shteteve.

“Cilido qoftë plani i ardhshëm, ai duhet patjetër të pranojë parametrat e dakorduara ndërkombëtarisht për shkëmbim e territoreve sipas situatës së vitit 1967, ku statusi i Jerusalemit parashihet si kryeqytet i ardhshëm i dy shteteve”, tha ajo.

Në Tunizi ka filluar Samiti i 30-të i liderëve të Ligës Arabe. Samiti kryesohet nga Presidenti i Tunizisë, Beji Caid Essebsi. Në këtë samit marrin pjesë 13 liderë, mes të cilëve janë mbreti i Arabisë Saudite Salman bin Abdulaziz dhe emiri i Katarit, Sheik Tamim bin Hamad al-Thani.

Në takim do të bisedohet për situatën në Siri, si dhe për vendimin e javës së kaluar të presidentit amerikan, Donald Trump për të njohur si territor izraelit Lartësitë e Golanit.

Në mesin e temave kryesore që do të diskutohen në këtë takim janë edhe çështja e Palestinës, situata në Jemen dhe Libi, ndihma për zhvillimin e Sirisë dhe ndërhyrja e Iranit në çështjet e brendshme të vendeve arabe./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne