BeH, arrestohen 7 persona të dyshuar për krime kundër njerëzimit

Në një operacion të koordinuar në terren, me urdhër të prokurorit të Departamentit Special për Krimet e Luftës, efektivët e policisë së Agjencisë Shtetërore të Hetimit dhe Mbrojtjes (SIPA) në Bosnjë e Hercegovinë gjetën, identifikuan dhe arrestuan 7 të dyshuar në orët e para të mëngjesit në komunën Sokolac.

Përmes mekanizmave ligjore ndërkombëtare do të kërkohet ekstradimi i njërit prej të dyshuarve i cili ndodhet jashtë shtetit.

Të dyshuarit që janë nën hetim akuzohen për pjesëmarrje në një vepër të përbashkët kriminale dhe janë ish-zyrtarë të lartë të Shtabit të Krizave të Sokolacit, ushtrisë dhe policisë si dhe autorët e drejtpërdrejt të vrasjes së civilëve boshnjakë në vitin 1992 në fshatin Novoseoci të komunës Sokolac, rreth 43 kilometra në lindje të Sarajevës.

“Ky është një krim i kryer më 21/22 shtator të vitit 1992, kur pjesëtarët e Ushtrisë së Republikës Sërpska (VRS) sulmuan fshatin dhe ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët. Burrat më pas u transportuan me kamionë ushtarakë në vendin e deponisë në Ivan Polje, ku ata u vranë brutalisht nga të shtënat me armë dhe u varrosën në një deponi ndërsa gratë dhe fëmijët u dëbuan dhe u transportuan në territorin e Sarajevës”, tha Prokuroria e BeH-së.

Në mesin e të vrarëve kishte djem të mitur si dhe një grua e cila u vra gjatë sulmit ndaj fshatit. Viktima më e re ishte 14 vjeç dhe më e vjetra 82 vjeç.

Të gjitha viktimat, përveç eshtrave të një civili të vrarë, u zbuluan, u zhvarrosën dhe identifikuan pas luftës, ndërsa deri në 178 plagë nga armët u gjetën në mbetjet mortore.

Pas kryerjes të krimit, xhamia në Novoseoci u minua dhe u shkatërrua, ndërsa mbetjet e xhamisë u dërguan në deponi dhe u hodhën mbi trupat e të vrarëve.

Në këtë rast është përfshirë gjithashtu Radislav Kërstiç, i dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për gjenocidin e Srebrenicës, i cili në vitin 1992 ishte komandant i Brigadës së Dytë Motorike të VRS, i cili do të merret në pyetje në bashkëpunim me Mekanizmin Ndërkombëtar për Gjykatat Penale (MNRGjP) dhe Poloninë, ku ai është duke vuajtur dënimin me burg.

Prokurori kompetent do të marrë në pyetje të dyshuarit, pas së cilës do të marrë vendim mbi aktivitetet e mëtejshme në këtë rast.

Gjatë operacionit të mëngjesit të sotëm, i kryer me urdhër të Departamentit Special për Krime të Luftës, u referohet të dyshuarve: Milan Tupajiç, i lindur në vitin 1954 në Knezhina, Sokolac, ish-kryetar i Shtabit të Krizave Sokolac; Radomir Obradoviç, i quajtur “Dragan”, i lindur më 1950 Kërshevi, Sokolac, ish-komandanti i Stacionit të Sigurimit Publik Sokolac; Radislav Kërstiç i lindur më 1948, Nedjeljishte, Vlasenica, ish-komandant i Brigadës së Dytë Motorike VRS, i cili po vuan dënim në Poloni; K.N. i lindur më 1954, pjesëtar i Policisë Ushtarake, banon në Kanada, do të kërkohet ekstradimi i tij; Miladin Gasheviç, i njohur si “Çirko”, i lindur më 1961, Vidriçi, Sokolac, zv/komandant i Kompanisë së 2-të vëzhguese; Momir Kezunoviç, i lindur më 1957, në Vidriçi, Sokolac, pjesëtar i çetës së 2-të vëzhguese, Branislav Kezunoviç, i quajtur “Miki”, i lindur më 1959, Vidriçi, Sokolac, pjesëtar i çetës së 2-të vëzhguese, Zheljko Gasheviç, i lindur më 1968, Sokolac, pjesëtar i çetës së 2-të vëzhguese dhe Jadranko Shuka, i lindur më 1957, Sokolac, pjesëtar i çetës së 2-të vëzhguese./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne