Lëvizja e Deçait ka nxitur diskutime të gjera në opinionin publik. Për të kuptuar më mirë prapaskenat dhe ndikimet e saj, zhvilluam një intervistë me Behar Kaçelin, një nga figurat më të shquara të jetës publike dhe analist i njohur i zhvillimeve shoqërore e politike në vend.
1.Në datë 22 tetor 2025, në Prishtinë, nën udhëheqjen e shtetasit kroat Vesel Lekaj, u bë mbledhja e Lëvizjes së Deçanit për të përkujtuar 2-vjetorin e kësaj Lëvizjeje. Në fjalimin e tij, Lekaj deklaroi që qëllimi i kësaj Lëvizjeje është heqja e Islamit në Kosovë. Si e komentoni këtë Lëvizje dhe deklaratat e Vesel Lekajt?
Vesel Lekaj dhe lëvizja që ai përfaqëson nuk janë as të reja dhe as të panjohura për shqiptarët. Që prej vitit 1820, kur shoqëritë misionare filluan aktivitetin e tyre në territoret e Perandorisë Osmane, populli shqiptar është përballur me nisma dhe thirrje për braktisjen e fesë islame dhe kthimin në fenë e “të parëve”, siç pretendojnë ato qarqe. Që nga viti 1832 e deri në vitin 1939 janë hartuar dhe publikuar pesë projekte madhore që synonin deislamizimin e popullit shqiptar.
Pas shpalljes së Pavarësisë, shteti shqiptar u përball me lëvizje separatiste që kërkonin copëtimin e trupit të brishtë të shtetit të ri në Ballkan. Lëvizje si Republika e Mirditës, Republika e Korçës dhe Krahina Autonome e Vorio-Epirit, të lindura gjatë viteve 1913–1920, ishin në thelb pasojë e këtyre memorandumeve dhe planeve politike.Pas rënies së regjimit komunist, me mbështetjen e shoqatave misionare, këto lëvizje morën sërish hov. Lëvizja e Deçanit, përpjekjet serbe për destabilizim në Kosovë, si dhe nismat për krijimin e një “shteti bektashi” në Tiranë, përbëjnë vazhdimësi të atyre projekteve ogurzeza të hartuara që para më shumë se një shekulli në kurriz të unitetit fetar dhe kombëtar të shqiptarëve.
2.Vesel Lekaj deklaroi që nisma e Deçanit mbështetet nga “miqtë tanë të interesuar”. Kush mund të jenë sponsorët e kësaj Lëvizjeje?
Miqtë e këtyre lëvizjeve tashmë janë të njohur; ata e kanë zbuluar hapur fytyrën e tyre dhe nuk veprojnë më të maskuar si dikur. Pas të gjitha këtyre projekteve ogurzeza qëndrojnë në radhë të parë Beogradi dhe Athina, në aspektin politik e shtetëror, ndërsa në planin misionar veprojnë dhjetëra e qindra organizata të lidhura me to.
Mjafton një vështrim në regjistrat gjyqësorë për të kuptuar se numri i shoqatave misionare që operojnë në vend është tepër i lartë. Po kështu, numri i kishave ka tejkaluar tashmë atë të xhamive dhe teqeve të marra së bashku, ndonëse përkatësia islame mbetet dukshëm më e gjerë në mesin e popullsisë shqiptare.
Personazhe si Vesel Lekaj përfaqësojnë kryesisht një shtresë pseudo-intelektualësh me origjinë shqiptare, të formuar në shkollat dhe universitetet e Beogradit, ku atyre u është ngulitur një ndjenjë e thellë inferioriteti kulturor. Si pasojë, ata kanë arritur në atë shkallë sa të zhvillojnë një përbuzje të hapur ndaj gjithçkaje materiale e shpirtërore që lidhet me trashëgiminë dhe identitetin e prindërve të tyre.
3.Lekaj deklaroi që hoxhallarët shqiptarë janë antikombëtarë dhe se largimi nga Islami është atdhetarizëm, patriotizëm. Si e komentoni këtë?
Për një person të ushqyer me ideologji serbofile dhe komunisto-ateiste, një deklaratë e tillë është mëse e pritshme. Ai nuk e njeh Hoxhë Hasan Tahsinin, Muderris Ymer Prizrenin, Haxhi Zekën apo Molla Idriz Gjilanin. Po t’i njihte këto figura dhe të kishte lexuar historinë e tyre, si edhe të shumë të tjerëve që kanë kontribuar për fenë dhe kombin, nuk do të bënte kurrë deklarata të tilla të pamenduara.
4.Alma Lama nga Shqipëria e shpalli besimin Islam si një besim ekstrem, i cili duhet hequr nga Kosova. Si e komentoni këtë?
Ka një brez të tërë politikanësh, gazetarësh e artistësh që janë formuar në mjedise me ndikim misionar, ku mendja u është helmuar dhe janë brumosur me një ndjenjë të thellë inferioriteti kulturor. Megjithatë, unë besoj se kjo është një fazë kalimtare. Nga përvoja ime, kam vënë re se ky lloj individësh, kur arrijnë moshën mbi 40 vjeç, fillojnë ta kuptojnë se janë mashtruar dhe gradualisht distancohen nga qëndrime të tilla.
5.Sadri Ramabaja deklaroi që Lëvizja e Deçanit duhet të ndjekë rrugën e kuislingut fashist Gjergj Fishta dhe rrugën e klerit françeskan dhe jezuit të Shkodrës, i cili bashkëpunoi me fashizmin në pushtimin e Shqipërisë. Si e komentoni këtë?
Gjergj Fishta është autor i njërit prej memorandumeve që përmenda më lart. Ai e ka filluar përpilimin e tij në vitin 1914 dhe e ka përfunduar në vitin 1924, periudhë kur ushqente ende shpresën për aneksimin e Shqipërisë nga Italia. Në këtë dokument, Fishta paraqet një pasqyrë të gjendjes demofetare në vend dhe propozon një projekt deislamizimi të popullsisë shqiptare, ku si mjete kryesore parashikon varfërimin ekonomik të shtresave myslimane dhe përhapjen ndër to të ndjenjës së inferioritetit për shkak të përkatësisë fetare.
Në këtë aspket, nuk është për t’u habitur që individët e formuar nën frymën e një urrejtjeje të tillë të përsërisin sot të njëjtat qëndrime përçmuese ndaj trashëgimisë shpirtërore të popullit shqiptar.
6.Jeton Kelmendi, ligjërues në kolegjin AAB në Prishtinë, citoi enveristin Ismail Kadare, i cili në vitet 1990 i bëri thirrje për “kthim në fenë e të parëve”. Si e komentoni këtë?
Edhe për këtë vlen përgjigjia e dhënë për Alma Lamën dhe Sadri Ramabajën. Te kjo kategori njerëzisht vlen vetëm miti dhe manipulimi historik, ata nuk njohin të vërtetë apo fakt historik.
7.Elder Highs, një misionar nga Kisha e Jezu Krishtit (Mormonë) në Kosovë, deklaroi që “Ju në Kosovë jeni nën kontrollin e myslimanëve, por kjo është koha që të gjeni traditën e të parëve tuaj.” Çfarë synonte misionari amerikan me këto fjalë? Ndarjen e katolikëve nga shqiptarët myslimanë?
Një nga pararendësit e tij misionarë në Shqipëri, Çarls Telford Erikson, në vitin 1911 deklaroi në një kongres të mbajtur në Londër se: “Për islamizimin e Botës Islame, Shqipëria është çelësi.” Duket e pabesueshme, por ja që kjo është thënë dhe ka ndodhur. Në fakt, as ai nuk ka artikuluar diçka të panjohur për ne – vetëm ka përsëritur atë që për shekuj ka qenë pjesë e agjendave të njohura kundër identitetit shpirtëror të shqiptarëve.
8.Gani Mehmeti deklaroi që: “Duhet të nisim ofensivë në Maqedoninë e Veriut. Dhe se shqiptarët myslimanë janë mercenarë të paguar.” Për çfarë ofensive e kanë fjalën delegatët e Lëvizjes së Deçanit në Maqedoni?
Veprimtaria misionare ka filluar në Manastir, në shek. 19, kështu që ai është i qartë me pikat kryesore të misionit. Nuk duhet të harrojmë se qytete si Prizreni dhe Shkupi, për ata kanë statusin e Jeruzalemit.
9.A nuk rrezikon kjo nismë të krijojë përçarje të reja ndër shqiptarë, në vend që t’i bashkojë ata?
Nisma të tilla nuk kanë asnjë rrezik për popullin shqiptar, përderisa nuk përvetësohen nga axhenda shtetërore shoviniste, në rastin e Kosovës, Serbia mund të krijojë precendentë për enklava dhe minishtete brenda territorit të Kosovës.
10.Pse duhet feja islame të shihet si rrezik për kombin, kur mijëra shqiptarë myslimanë kanë dhënë jetën për atdheun?
Për arsyen e vetme se ata janë rritur me mite dhe legjenda dhe jo me historinë e vërtetë të popullit shqiptar. Më lart e ceka se po ta njihnin historinë e prijësve të këtij vendi, do të kishin qëndrim tjetër.
11.Pse Qeveria e Kosovës nuk merr masa kundër kësaj Lëvizjeje që nxit urrejtje kombëtare dhe fetare në vend?
Unë besoj se qeveria e Kosovës ka marrë masa dhe ka arritur të eleminojnë një grup të armatosur dhe të mirë strukturar, pjesa tjetër është përballje teologjiko-intelektuale, ku grupi i Deçanit kanë defiçit të theksuar në këtë aspekt.
12.Gazeta Impakt ka botuar një dokument sekret kroat, i cili pretendon që Lëvizja e Deçanit është pjesë e një agjenture ndërkombëtare që kërkon të krijojë shtetin bektashian, një shtet ortodoks në Manastirin e Deçanit dhe një shtet katolik në Kosovë. Si e interpretoni këtë dokument?
Publikimi i atij dokumenti vërteton atë që ne ka vite që themi, rreziku i copëtimit të trojeve tona. Ka pasur prej atyre që e kanë quajtur si konsipracion, mirëpo publikimi i këtij dokumenti dhe që në të ardhmen do të dalin në dritë edhe shumë të tjerë që kanë lidhje edhe me Bosnien dhe Maqedoninë, do të na e bëjnë të qartë rrezikun që na kanoset nga ata dhe se ata nuk janë individë por pas tyre ka struktura të mirëorganizuara shtetërore.
/Gazeta Impakt


















