Progres raporti për Shqipërinë/ BE dënon sulmin ndaj News24: Gazetarët e 4 mediave u ndaluan nga autoritetet të hynin në redaksi! Veprimet në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën!

Mbahet sot në Bruksel samiti për zgjerimin e BE, ku fillimisht u tha se do të merrte pjesë edhe kryeministri Edi Rama, por kjo u anulua ndërsa ende nuk janë bërë të ditura arsyet.

BalkanWeb siguron progres-raportin që do të publikohet nga BE, ku përmendet edhe sulmi i bërë ndaj News24 në muajin gusht.
Në progres-raport dënohet sulmi dhe përfshirja e ushtrisë në ndalimin e gazetarëve të hynin në redaksi e të kryenin punën e tyre.

“U ngritën shqetësime për ligjshmërinë dhe procedurat e ndjekura nga autoritetet në parandalimin e aksesit të gazetarëve nga katër media në ambientet që ata përdornin. Në gusht 2025, një gjykatë e shkallës së parë vlerësoi se masat kufizuese ndaj gazetarëve gjatë dëbimit të një konsorciumi mediatik nga ambientet shtetërore nuk ishin proporcionale dhe ishin në kundërshtim me Kushtetutën dhe nenin 10 të ECHR, që lidhet me lirinë e shprehjes. Gjykata nuk hyri në thelbin e mosmarrëveshjes mbi pronësinë, por urdhëroi kthimin e pajisjeve dhe dokumenteve te gazetarët”, thuhet në dokument.

Raporti thekson gjithashtu se Shqipëria ka patur përparim të kufizuar sa I takon lirisë së shprehjes dhe pavarësisë së medias, duke nënvizuar shqetësim në lidhje me ligjshmërinë dhe procesin e rregullt të vëzhguar gjatë dëbimit nga autoritetet të një medie nga zyrat ku ushtronte aktivitetin.

“Shqipëria ka pasur një nivel të moderuar përgatitjeje në fushën e lirisë së shprehjes dhe ka bërë përparim të kufizuar gjatë periudhës së raportimit. Situata mbetet kryesisht e pandryshuar, me pavarësinë dhe pluralizmin e medias që vazhdojnë të preken nga mbivendosja e interesave të biznesit dhe politikës, mungesa e transparencës së burimeve të financimit, përqendrimi i lartë i pronësisë së medias, frikësimi dhe kushtet e pasigurta të punës për gazetarët. Megjithatë shqetësime u ngritën në lidhje me ligjshmërinë dhe procesin e rregullt të vëzhguar gjatë dëbimit nga autoritetet të një medie nga zyrat publike që ajo zinte.”/BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne