BEN BLUSHI DHE MANOVRA E DËSHTUAR

Behar Kaceli

Blushi ka një zhanër të vogël, por këmbëngulës, që jeton në hijen e letërsisë vetë, si: historia e romanit para se të botohet.

Është një tregim i shkurtër ndoshta më i mirë se vetë romani në aspektin letrar, që shpesh Blushi e bën dramatik.

Blushi shfaqet aty si njeri që ka kaluar sprova të rënda me botuesit, si i keqkuptuar nga shkrimtarët e tjerë, si i censuruar nga ndonjë “ai lart” që gjithmonë mbetet enigmatik. Dhe me këtë rrëfim, që herë duket i sinqertë, herë i sajuar me kujdes, krijohet atmosfera e një libri që “nuk duhej të dilte”, por që megjithatë do të dalë ose Blushi ia doli.

Kjo është, në fakt, një manovër e vjetër. Një manovër që dikur funksiononte, sepse lexuesit ishin ende të ndjeshëm ndaj idesë së censurës, ndaj imazhit të autorit që lufton me pushtetin për fjalën e lirë. Por sot, në një treg ku çdo gjë botohet dhe asgjë nuk ndalohet realisht, pozimi si shkrimtar i ndaluar është bërë formë reklame, një mënyrë për të fshehur mungesën e përmbajtjes pas hijes së rrezikut.

Historia që tregon autori për dorëshkrimin e tij, një shkrimtar që ndan letërsinë në dy pjesë, një botuese që ka frikë nga “ai lart”, një tjetër që tmerron nga teksti, e më në fund një botues ateist që “nuk ka frikë” , është më shumë një skenografi e menduar për efekt, sesa një realitet letrar. Është një mënyrë për t’i dhënë vetes rëndësi përmes konfliktit, për ta shitur librin si ngjarje dhe jo si tekst.

Por kjo taktikë, sado e përpunuar, nuk frymëzon më besim. Lexuesi i sotëm është më i kthjellët, ai e ndien kur dramatizimi është kalkulim, kur autori luan rolin e viktimës për të fituar rolin e heroit.

BENI NUK ECËN DOT VETË, DUHET SHTYRË/fb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne