BE bën thirrje për embargo armatimi kundër Arabisë Saudite, e akuzon për krime lufte

Parlamenti Europian ka miratuar një rezolutë, e cila kërkon një embargo të gjerë në BE për shitjen e armëve në Arabinë Saudite mbi krimet e dyshuara të luftës që ka kryer në Jemen. Rezoluta gjithashtu kritikon anëtarët e BE që shesin armë për mbretërinë e Gjirit.

Parlamenti i BE-së “dënon në terma më të fuqishëm dhunën e vazhdueshme në Jemen dhe të gjitha sulmet kundër civilëve dhe infrastrukturës civile, të cilat përbëjnë krime lufte”, thotë rezoluta e të enjtes. Ajo vazhdon të thotë se “dhjetëra sulme ajrore të drejtuara nga Arabia Saudite janë fajtore për vrasjen dhe plagosjen e civilëve në kundërshtim me ligjet e luftës, duke përfshirë përdorimin e municioneve thërrmuese të ndaluara ndërkombëtarisht”.

Dokumenti në veçanti thotë se ligjvënësit evropianë ndjejnë keqardhje për bllokadën e Jemenit të ngritur nga koalicioni i udhëhequr nga Saudia dhe në mënyrë specifike dënon “sulmet ajrore të koalicionit që kame rezultuar në viktima civile, përfshirë fëmijët dhe shkatërrimin e infrastrukturës civile dhe mjekësore”. Dokumenti shton se ata dënojnë në mënyrë të barabartë edhe veprimet e rebelëve Houthi që rezultojnë në viktima civile, duke përfshirë sulmet me raketa në qytetet saudite.

Deputetët pastaj rinovuan thirrjen e tyre për shefen e politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini për të nisur “një iniciativë për të imponuar një embargo armësh të BE kundër Arabisë Saudite” në pikëpamje të akuzave serioze për kryerjen e krimeve të luftës në Jemen. Mocioni i cili është jo i detyrueshëm u miratua nga një shumicë e madhe pasi 539 deputetë e mbështetën atë ndërsa vetëm 13 prej tyre votuan kundër dhe 81 abstenuan.

Rezoluta gjithashtu i bën thirrje Mogherinit të “propozojë urgjentisht një strategji të integruar të BE-së për Jemenin”, si dhe u kërkoi të gjitha palëve të konfliktit “të bien dakord urgjentisht për një ndërprerje të armiqësive” dhe të kthehen në negociatat për paqen. Rezoluta kritikon ashpër shtetet anëtare të BE-së për shitjen e armëve ndaj Saudisë, pavarësisht akuzave të shumta për krime lufte të kryera nga koalicioni.

“Shtetet anëtare të BE kanë vazhduar të autorizojnë transferimin e armëve në Arabinë Saudite që nga përshkallëzimi i konfliktit, në një shkelje të pozicionit së përbashkët të Këshillit … për kontrollin e eksportit të armëve”, thuhet në dokument. Më pas thuhet se një embargo armësh e BE kundër Arabisë Saudite do të “nxisë efektivisht pajtueshmërinë” e shteteve anëtare me udhëzimet e përshtatshme të BE-së dhe eventualisht me ligjin ndërkombëtar humanitar.

Kjo nuk është hera e parë që parlamenti i BE ka kërkuar një embargo armësh kundër Arabisë Saudite. Një apel i ngjashëm mbi situatën në Jemen u miratua në shkurt 2016.

Ndërkohë, disa shtete të BE-së vazhdojnë ti ofrojnë në mënyrë aktive Arabisë Saudite armë dhe pajisje ushtarake pavarësisht përfshirjes së mbretërisë në luftën në Jemen. Në mesin e nëntorit qeveria gjermane zbuloi se vlera e përgjithshme e shitjeve të armëve në Arabinë Saudite është rritur pesëfish në tremujorin e tretë të vitit 2017 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërsa Gjermania furnizon Mbretërinë me kamionë ushtarakë dhe anije patrullimi, sipas dokumenteve të publikuara, Britania e Madhe po i shet municione të ndryshme, duke përfshirë bomba dhe raketa. Shitja e armëve nga Mbretërinë e Bashkuar për Arabinë Saudite u rrit në pothuajse 500 për qind, tha një raport i nëntorit.

Në shtator, një OJQ tha se Britania e Madhe i ka shitur sauditëve armë me vlerë 6 miliardë dollarë (8 miliardë dollarë) që nga fillimi i luftës në Jemen. Gjithashtu kohët e fundit u zbulua se rreth 50 ushtarakë britanikë kane trajnuar për luftë oficerët sauditë të angazhuar në konfliktin e Jemenit.

Megjithatë, Mbretëria e pasur me naftë gëzon mbështetje jo vetëm të partnerëve të saj evropianë. Në fund të nëntorit, u raportua se sauditët po blinin armë precizioni nga prodhuesit amerikanë që kapnin vlerën e 7 miliardë dollarëve, e cila është pothuajse e barabartë me vlerën totale të shitjeve të armëve britanike në Arabinë Saudite gjatë gjithë periudhës së konfliktit të Jemenit. Blerja erdhi si pjesë e marrëveshjes prej 110 miliardë dollarësh të ndërmjetësuar më herët nga Presidenti i SHBA Donald Trump gjatë vizitës së tij në Riad.

Që nga viti 2015, monarkia sunite ka ndërmarë një luftë kundër rebelëve shitë Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen, gjë që e shtyu një nga vendet më të varfra të botës arabe në prag të zisë së bukës dhe la rreth 4,800 jemenas të vrarë, sipas OKB-së që thotë se shumica e viktimave civile u shkaktuan nga sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, ndonëse Rijadi vazhdimisht i ka mohuar raportet.

Sipas OKB-së rreth 20.7 milionë njerëz në Jemen aktualisht kanë nevojë për ndihmë humanitare, ndërsa një kolerë, e cila konsiderohet si një nga më të rëndat në botë, ka prekur më shumë se 900,000 njerëz. Në të njëjtën kohë, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) gjithashtu e quajti situatën humanitare në Jemen “emergjenca më e madhe ushqimore në botë”./rt/ Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne