“Do të shikoni më tutje se çfarë do të ndodhë”. Kështu deklaroi Genc Gjokutaj, avokati i kreut të PD-së Sali Berisha pak minuta pasi GJKKO dha vendimin për heqjen e masës së arrestit shtëpiak ndaj ish-kryeministrit.
Gjokutaj tha se “vendimi absolutisht është i ekzekutueshëm, sot është i lirë”.
“Është një masë që nuk ka as kushte as kritere përcaktimi i saj. Nga sot z. Berisha është i lirë dhe pa asnjë masë sigurimi ndaj tij. Kërkesa ishte për z.Berisha. Nuk ka asnjë masë sigurimi. Unë nuk mund të relatoj dosjen. Gjykata konstatoi që për z.Berisha nuk ekzistojnë më kushtet dhe kriteret për përcaktimin e asnjë mase sigurimi. Mos harroni që jemi në kërkimin paraprak”, tha Gjokutaj.
Ai deklaroi më tej se Prokuroria kërkoi që të mbetej në arrest shtëpie. “Kjo ishte kërkesa jonë e depozituar një ditë para seancës paraprake. Këto kërkesa shqyrtohen brenda 5 ditëve dhe gjyqtarja brenda këtij afati caktoi seancë. Kjo kërkesë është bërë këtu pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ligji nuk zbatohet me analogji. Ne sigurisht që nuk i besojmë gjykatave që…ne kemi një vit e ca luftë me Irena Gjokën dhe me shumë gjyqtarë të tjerë. Duhet të kuptoni që qëndrimi i Strasburgut është determinant dhe ka një rol parësor. Procesi është kryekëput politik. Ekzistokan arsye dhe jo ligjore, nuk mund t’i hyj ndërgjegjes së brendshme”, tha avokati i Berishës.
Nuk mungoi një mesazh për Prokurorinë e Posaçme. “SPAK-u le të bëjë çfarë të dojë, SPAK-u duhet të ulë kokën dhe të shikojë se çfarë ka bërë, të kthehet në retrospektivë. I ka hipur një kali së prapthi, do të shikoni më tutje se çfarë do të ndodhë. Vendimi absolutisht është i ekzekutueshëm që nga sot. Sot është i lirë. Mos u mërzisni pse u lirua”, tha Gjokutaj./BW