Klodiana Lala ka folur për thirrjen e Berishës në SPAK ditën e mërkurë, ku do t’i komunikohet akuza. Lala tha se burime jo zyrtare, i kanë konfirmuar se Berisha pritet të akuzohet për korrupsion, ç’ka do ta kthente statusin e tij nga një person nën hetim në një të pandehur.
“Kam qenë e mendimit që hetimet për Berishën duhet të kishin përfunduar me kohë sepse ka katër vite që zgjat. Prokurorët tani ishin të detyruar sepse ligji thotë që kur ka masë sigurie, nuk duhet të kalojë afati një vjecar që përmbushet në tetor.
Prokurorët kanë përfunduar hetimet. Info paraprake thonë se Berishës do ti komunikohet e njëjta akuzë, vepra penale e korrupsionit, por mbetet për tu parë. Është nga burime jo zyrtare.
Zyrtarisht i kanë dërguar vetëm fletëthirrje ku e ftojnë të paraqitet në SPAK. Berisha do të mbajë qëndrimin e tij.
Berisha që nga 30 dhjetori nuk ka dalë nga shtëpia, nuk është paraqitur as vetë në gjykatë, ka qenë vetëm një herë, që bëri edhe deklaratë jashtë. Deri tani ishte person nën hetim. Nga e mërkura pozita e tij ndryshon.
Nëse do ti komunikohet akuza, Berishs do të jetë automatikisht i pandehur, pozita e tij përballë ligjit merr tjetër dimension. Parë në një kuptim tjetër, politikisht nuk e ndihmon. Pala tjetër do ta ketë kryefjalë që është një i pandehur”, tha Lala. /Tpz