Berisha: Ministret e tij stolisen sikur janë princesha, Veriu ka marrë më pak, se sa ka vjedhur motra e Tërmet Peçit

Në takimin përmbyllës të fushatës elektorale në Tropojë, kreu i PD Sali Berisha i ka bërë thirrje shqiptarëve që të mos votojnë për kryeministrin aktual Edi Rama.

Kreu i PD Sali Berisha deklaroi nga Tropoja se programi i forcës që ai drejton synon të eliminojë mjerimin dhe varfërinë e skajshme nga Shqipëria brenda një periudhe 100 ditore, ndërsa premtoi masa të menjëhershme pas zgjedhjeve për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Në 100 ditët e para do të vendosim një minimum jetik prej 200 eurosh,” tha Berisha, duke kritikuar ashpër qeverinë aktuale dhe ministrat që, sipas tij, “jetojnë të shkëputur nga realiteti i njerëzve të zakonshëm.”

Ai akuzoi klasën politike në pushtet se nuk ndjen përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe ironizoi deklaratat që justifikojnë pensionet minimale.

Pjesë nga fjala e Berishës

Të dashur miq, Tropoja, në një të shkuar jo të largët është djegur dhe pjekur brenda një harku kohor të shkurtër, disa herë. Tropojasit janë shpërngulur në zona tjera, por janë rikthyer rrufeshëm me shpejtësinë më të madhe, kanë rindërtuar shtëpitë e tyre dhe këtu i ka rikthyer dashuria e pakufishme për Tropojën.
Ndaj dhe, ne besojmë fort në këto vlera dhe do bëjmë gjithçka për rikthimin e tyre. Programi ynë është përjashtimi brenda 100 ditëve i mjerimit, varfërisë së skajshme nga Tropoja dhe mbarë Shqipëria.
Këta qeveritarë që janë vite dritë larg jush, larg halleve tuaja, larg problemeve tuaja, larg jetesës suaj, dhe që zhgërryhen çdo ditë në luksin e krijuar nga paratë që kanë vjedhur, këta nuk duan që t’ia dinë për ju.
I keni dëgjuar besoj, një shprehje që vjen nga thellësitë e kohërave dhe sipas së cilës këtu nuk vdes njeri për bukë. Dhe e them këtë se, vërtet nuk vdiste njeri për bukë, se njerëzit ndanin kafshatën njëri me tjetrin. Kjo ishte bujaria, kjo ishte bamirësia e shpirtit. Por qeveritarë, ministra që deklarojnë se, në Shqipëri është mirë sepse nuk vdes njeri për bukë, nuk fjalë që nuk meritohet t’u thuhet. Nuk është fjala të vdesi njeriu për bukë, por është fjala, të jetojë njeriu me dinjitet. Është fjala, të mos numërojë njeriu kafshatën. Është fjala, që ata burra dhe gra që ka shkrirë jetën për Tropojën, kanë shkrirë jetën për Shqipërinë, të mos tremben se nuk e mbyllin dot 15 ditëshin me pensionin që u jep.
Është fjala që, ata burra dhe gra, që kanë shkrirë jetën për Shqipërinë, të mos shtrijnë dorën për ilaçe se mbeten pa ilaçe se nuk i marrin dot me pensionin e tyre.
Është fjala, që, këta të rinj, këta fëmijë, ëndrrën e tyre të bukur shqiptare të mund ta ndërtojnë në Shqipëri, dhe jo të ëndërrojnë se si të ikin jashtë dhe të largohen nga Tropoja dhe Shqipëria.
Pra, është krejt tjetër.
Kurse këta, shkojnë në një akt përçmimi ndaj shqiptarëve se, këtu nuk vdes njeri për bukë.
Apo tjetra, ministret e tij, që stolisen sikur janë princesha të sulltanateve. U thonë shqiptarëve, që çfarë kanë pensionistët, pensionistët jetojnë shumë mirë. Se, me 140 euro jetohet normal, jetohet fare mirë.
Pra, kjo situatë, ky largim i tyre nga qytetarët për shkak të plaçkitjes, sepse hajduti për të justifikuar plaçkën e tij e urren viktimën. Mirë ua bëra, thotë.
Dhe ata, mirë ua bënë ju, thonë.
Miq, 100 ditët e para, ne japim përgjigje përfundimtare, çdo shqiptar do marrë 200 euro minimumin jetik.
Sot, 560 mijë pensionistë kanë një pension ndën 172 euro. Që të gjithë, pa përjashtim, sado që ta kenë, 60, 100, 170, do marrin 200 euro, 100 ditët e para të qeverisjes sonë.
Jo vetëm kaq.
Por ne do vendosim rrogën minimale 500 euro, rrogën mesatare 1250 euro. Për rrogëulëtit dhe pensionistët, kartën e konsumatorit. Ata do marrin çdo gjë, bukën, qumështin, mishin, të gjitha ushqimet, gjërat bazë, 20% më lirë se të tjerët.
Pra, miq,ne u rikthejmë shqiptarëve paratë që ata paguajnë, por së bashku me to edhe dinjitetin, sepse skamja është më e keqja, është në vetvete një lloj tiranie që topit shpirtin, mendjen njerëzore dhe i japim fund asaj.

Imagjinoni ju, potencialin e jashtëzakonshëm turistik që kanë Alpet, liqenet, lumenjtë e Tropojës.
Nuk do ta harroj ndonjëherë, kur një deputet i Shkodrës i kërkon llogari në parlament Lubi Ballukut, dhe i thotë: po pse nuk po e ndërtoni rrugën Vau i Dejës-Koman? Cila ishte përgjigja? Dëgjojeni miq. Përgjigja ishte se, ne ndërtojmë vetëm rrugë turistike. Se, sipas saj liqeni i Vaut të Dejës, liqeni i Komanit, lumi i Shalës, Valbona, Alpet, nuk janë destinacione turistike. Ato janë të fshira nga harta.
Miq, asnjë regjim, asnjë pushtim nuk ju ka diskriminuar ju, banorëve të Tropojës dhe veriut, siç ju ka diskriminuar Edi Rama.
Kukësi, Hasi, Puka, Tropoja, Vau i Dejës, kanë marrë në 12 vite më pak, se sa ka vjedhur motra e Tërmet Peçit paratë e taksapaguesve shqiptarë. Po, ndaj dhe u shpjegoj unë se çfarë ka ndodhur.
Është e vërtetë që këtu s’kanë nis para ata. Përfundoi nja 10 kilometra rrugë nga Dragobia në Valbonë, shtroi asflatin se stabilizanti ishte i shtruar dhe tjerat absolutisht aty ishin.
Në zona tjera në jug, ai ka dërguar qindra e qindra milionë. Mos mendoni ju se përfituan banorët e jugut. Absolutisht, jo. Unë dje isha në Gramsh. Një rreth që e njoh. Një rreth, një malësi me potenciale të mëdha turistike, plot ujëra, një rreth shumë i përshtatshëm për shumë llojë pemësh. Mesjetë, ju betohem mesjetë e vërtetë në shumicën e fshatrave. Asnjë investim. Zero investim.
Dhe, të gjithë banorët e të të dyja anëve të liqenit të Banjës, tokat pa vaditje. Pse?
Se paratë i vjedh nomenklatura e shpifur e kësaj qeverie,e inkriminuar gjer në palcë. Se paratë i vjedhin Erion Veliajt, i vjedh Tërmetët, i vjedhin Becët, i vjedhin me radhë e me radhë, të mos ua them emrat. Dhe qytetarëve, mos mendoni ju se kanë përfituar ndonjë gjë.
Jo, absolutisht qytetarët, njëlloj sa ju kanë përfituar. Shkon në Vlorë e u thotë: unë në Vlorë kam investuar 1 miliardë e 230 milionë euro.
Po, në Vlorë ka vjedhur vetëm tunelin e Llogarasë 60 milionë. Në Vlorë, me aerodromin e Vlorën ka gjobitur çdo shqiptar miliona euro në vit, duke dnarë para me të korruotuarit. Vlora pa ujë, pa kanalizime, dhe tani së fundmi i është vërsulur lumit të Vlorës, si kuçedër për t’ua shterrë ujin dhe për ta bërë shkretëtirë luginën.
Ky është Edi Rama për Vlorën, pra. Është një armik për Tropojën, një armik për Vloërn, një armik Gramshin, një armik për shqiptarët kudo që janë.
Jo miq, ne do i rikthehemi edhe Vlorës, edhe Tropojës, edhe Gramshit, edhe Kolonjës, edhe Tepelenës, Mallakastrës e kudo.
Së pari, do u rikthejmë paratë të taksave të shqiptarëve. Se ky është një ligj për çdo qeveri që zgjidhet nga populli i vet. E kam thënë, ua përsëris edhe këtu.
Në vitin 2013, pensioni mesatar në Shqipëri ishte 143 mijë lekë. Në Mal të Zi ishte 138 mijë lekë.
Sot pensioni mesatar në Mal të Zi është 450 mijë lekë. Në Shqipëri është 172 mijë lekë./Tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne