Rajoni Shqiperia

Berisha: Ndarja e Mitrovicës, në favor të Serbisë së Madhe

“Ndryshimi i kufijve, me pasoja të rënda për Ballkanin”

“Kosova është një dhe e pandashme”.

Në krah të kreut të komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, pas një takimi të mbajtur në Tiranë, ish-kryeministri Sali Berisha përsërit kundërshtinë e tij për ndryshimin e kufijve të Kosovës. Berisha thotë se idetë për shkëmbim territoresh shkojnë në favor të Serbisë së Madhe.

“Aleksandar Vuçiç ka marrë përsipër të bëjë gjithçka për copëtimin e Kosovës, tjetërsimin e territorit të saj në interes të Serbisë së madhe”.

Ish-kryeministri thotë se idetë e Beogradit kanë gjetur përkrahje edhe në Prishtinë duke shigjetuar Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

“Mjerimi më i madh është se kjo ide apo këtë flamur, Beogradi sot po e shet me argatët e tij albanofobë në Prishtinë. Kërkojmë të copëtojmë Kosovën duke bërë spekulime semantike nga më primitivet, duke dhënë garancira “don kishoteske”, duke folur në emër të Moskës dhe të Beogradit”.

Ish-kryeministri Shqiptar paralajmëron se ndryshimi i kufijve do të sillte pasoja të rënda për Ballkanin në të ardhmen.

“Ballkani ka disa Mitrovica, dhe në qoftë se ne hapim ‘Kutinë e Pandorës’, ne hapim një cikël të ri konfliktesh”.

Agim Bahtiri, kryetar i Komunës së Mitrovicës: “Kufijtë janë të përcaktuar, nuk dëshirojmë të humbasim asnjë pëllëmbë të tokës së Kosovës në tavolinë”.

Berisha thotë se veriu i Kosovës mbahet peng nga një grusht banditësh dhe kriminelesh me lidhje të fuqishme me mafien serbo-shqiptare për qëllime  kontrabande, trafiqeve të drogës, armëve etj.

OPINIONE