BERZH siguron 5,9 milionë euro kredi për termocentralin e ri në Maqedoni

Maqedonia vitin e ardhshëm do të ketë termocentralin fotovoltaik prej 10 megavat në zonën e kombinatit të minierës energjetike Osllomej, termocentrali i cili do të prodhojë rreth 15 gigavat në orë, të mjaftueshme për të mbuluar nevojat vjetore të rreth dy mijë familjeve në Maqedoni.

Siç u njoftua në nënshkrimin e marrëveshjes, ceremonia e së cilës u realizua në Qeverinë e Maqedonisë, projekti kap vlerën prej rreth 7 milionë euro, prej të cilave 5,9 milionë euro kredi do t’i sigurojë Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Kredia u nënshkrua midis BERZH-it dhe ELEM-it, kompanisë shtetërore që prodhon energji elektrike në Maqedoni, respektivisht nga drejtori i BERZH-it për Energji, Harry Boyd-Carpenter dhe drejtori i ELEM-it, Dragan Minovski.

“Ky është projekti i parë i prodhimit të energjisë fotovoltaike në portofolin tonë me vlerë prej rreth 7 milionë euro, prej të cilave 5.9 milionë do të sigurohen nga BERZH-i, ndërsa pjesa tjetër nga fondet e ELEM-it. Prodhimi i përgjithshëm vjetor i termocentralit të ri fotovoltaik prej 15 gigavat do të jetë i mjaftueshëm për të mbuluar nevojat e dy mijë familjeve në vend”, deklaroi Minovski.

Në ceremoninë e nënshkrimit ishte i pranishëm edhe kryeministri i vendit, Zoran Zaev, si dhe zv/kryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.

Zaev vuri në dukje se ndërtimi i një termocentrali fotovoltaik është i rëndësishëm për shkak se është një projekt mjedisor.

“Këtë projekt të cilin e shpallim sot, është me të vërtetë një porosi e mirë për ekonominë, të cilën e presim për një kohë kaq të gjatë për të dhënë rezultate të përshtatshme. Bukuria është sepse investimi hyn në një nga sektorët më të rëndësishëm në Maqedoni, që është energjia, ku kemi potencialin më të madh për të rritur prodhimin e brendshëm bruto si dhe një potencial serioz për të mbuluar mungesën e energjisë”, deklaroi Zaev. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne