Në betejë me një sëmundje, sfidat që të shfaqen janë kostot e mëtejshme, edhe në rast se sistemi shëndetësor të mundëson trajtimi falas. Tumoret përbëjnë shkakun e tretë për vdekjet në Shqipëri, si mund të hiqet barra ekonomike për pacientët në trajtim?
Në botën e sotme, trajtimi i tumoreve është një sfidë e madhe, jo vetëm për pacientët dhe familjet e tyre, por edhe për sistemet shëndetësore dhe shoqërinë në përgjithësi. Tumoret, në shumicën e rasteve, kërkojnë një kombinim të shërbimeve mjekësore të specializuara si kirurgjia, radioterapia dhe terapia mjekësore.
Trajtimi i tumoreve zakonisht shoqërohet me shpenzime të larta, përfshirë analizat, kujdesin mjekësor të vazhdueshëm, ilaçet e shtrenjta, si dhe koston e ndjekjes së pacientit pas trajtimit. Kostoja e trajtimit kundër tumoreve varet nga shumë faktorë, përfshirë llojin e tumorit, stadin e tij, metodën e trajtimit të përdorur dhe vendndodhjen gjeografike. Shpeshherë, pacientët janë të detyruar të përballen me kosto të larta, edhe pse shumë vende kanë programe të ndryshme për mbulimin e trajtimit të tumoreve.
Dr. Euglent Hoxha, mjek onko-obseteter/gjinekolog thotë se gjatë një viti diagnostikohen në vend rreth 100 të reja me kancer të uterusit, qafës së mitrës dhe të vezoreve. Por sipas publikimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, për raportin vjetor të vitit 2021, është mbuluar shërbimi për depistimin e kancerit të qafës së mitrës për 14 000 gra, ndërkohë për 5000 gra është mbuluar shërbimi i depistimit e kancerit të gjirit.
Në Shqipëri, sistemi shëndetësor përballet me sfida të shumta dhe përkujdesja onkologjike nuk është përjashtim. Sipas ligjit, shërbimet shëndetësore janë të mbuluara nga shteti, përfshirë trajtimin e pacientëve me kancer. Megjithatë, ka raste kur ilaçet mund të jenë të pamjaftueshme ose të mungojnë. Në praktikë, kjo mund të shkaktojë vonesa në trajtimin e pacientëve. Mund të ketë raste kur familjet duhet të blejnë ilaçe ose të përballojnë shpenzimet e tjera të lidhura me trajtimin. Kjo është një sfidë e vërtetë për shumë familje dhe ka organizata dhe nisma bamirëse që mund të ofrojnë ndihmë në këto raste. Por a janë ato të mjaftueshme?
Nëse një pacient ka nevojë për ilaçe të shtrenjta ose të rralla, ka raste kur mjeku mund të përpiqet të gjejë zgjidhje alternative ose të koordinojë me autoritetet shëndetësore për mbulimin e kostos. Megjithatë, kjo nuk është gjithmonë e mundur. “Përvoja mund të ndryshojë nga rasti në rast, dhe kjo është një situatë komplekse që kërkon përkujdesje individuale dhe zgjidhje të personalizuara. Në përgjithësi, mungesa e ilaçit është një problem serioz dhe thelbësor që kërkon koordinim të mirëfilltë në mes të mjekut, institucioneve shëndetësore dhe organizatave që mund të ofrojnë ndihmë në situata të tilla”, – thotë për “Monitor”, mjeku onkolog Dr. Helidon Nina, i cili shton se situata është përmirësuar ndër vite në Shërbimin e Onkologjikut në QSUT.
Shifra
Globalisht, sipas të dhënave të GLOBOCAN 2020, janë rreth 19.3 milionë raste të reja me kancer në vit dhe rreth 10 milionë vdekje nga kjo sëmundje. Është parashikuar se numri i vdekjeve nga kanceri do të dyfishohet në 20-40 vitet e ardhshme, me numrin më të madh në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare. Globalisht, më shumë se 70% të vdekjeve nga kanceri regjistrohen në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare, ku mundësitë për parandalim, diagnostikim të hershëm dhe trajtim janë të kufizuara. Në Shqipëri, sipas GLOBOCAN 2020 (të dhënat e fundit të përditësuara), janë regjistruar 7037 raste të reja me kancer për vitin 2020 dhe 3978 vdekje.
Sipas statistikave për vitin 2022 nga INSTAT, 3.233 persona humbën jetën duke mos fituar dot betejën kundër tumorit. Shifrat zyrtare të INSTAT tregojnë se ata që nuk ia dolën dot nga kjo sëmundje e rëndë janë ndryshe 13.5% e popullsisë, një përllogaritje k që i rendit tumoret në grupin e tretë më të madh të shkaktarëve të vdekjes. Situata është përkeqësuar në këtë kontekst, duke qenë se vetëm një vit më parë, ky shkak vdekjeje rezultonte i katërti në grupin total të shkaqeve. Në grupin ‘Tumore’, përqindjen më të lartë e zë nëngrupi i ‘tumore malinj të aparatit të tretjes’, me 35,2% dhe ‘tumore malinj të aparatit të frymëmarrjes’ me 23,7%,”- shkruhet në raportin e INSTAT.
“Përqindja e vdekjeve për grup-sëmundjen ‘Tumore’ është 15.7% vdekje për meshkujt dhe 10.8% vdekje për femrat”, thuhet në publikimin e INSTAT. Ndërkohë sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, 1 në 8 gra diagnostikohen me kancer gjiri. Statistikat gjithashtu tregojnë se, përafërsisht gjysma e humbjeve të jetës i përket grupmoshës 65-79 vjeç (47,6%).
Një luftë që kërkon shumë para
Matilda Dollani njihet nga njerëzit që e rrethojnë si “Rreze Rozë”. Dhe jo vetëm për faqen e saj në rrjete sociale të hapur me qëllim sensibilizimin e grave mbi sëmundjet tumorale, por sepse, në vetvete, ka një rreze ndriçuese në atë që Matilda përfaqëson.
Në betejë ende me një sëmundje, fatkeqësisht, të pashërueshme por me forcën e brendshme për të vazhduar këtë luftë, edhe pse ka vështirësi fizike, psikologjike, sociale dhe financiare.
“Kur nisa të përballem me këtë situatë vetë, mendova se njerëzit kanë nevojë për më tepër informacion, që edhe familjarët kanë nevojë për ta kuptuar pak më mirë pacientin, sepse shpeshherë ndodh që nuk i gjen dot fjalët për t’ia shpjeguar atë që ti po kalon.
Ndaj, vendosa të hap profilin në Instagram, ‘Rrezja Rozë’ për të qenë sa më pranë vajzave në të njëjtën situatë. Unë dhe mamaja ime, kemi luftuar së bashku në këtë betejë dhe doja të shprehja gjithë rrugëtimin që kemi, në funksion të ndërgjegjësimit” – thotë znj. Dollani.
Beteja e saj vazhdon, megjithëse stadi IV konsiderohet i pashërueshëm.
Ajo tregon se në ditët e sotme po punohet me vendosmëri për të zhvilluar ilaçe dhe terapi të reja, në përpjekje që kjo sëmundje të konsiderohet si një gjendje kronike dhe të ketë jetëgjatësi të zgjatur.
“Vështirësia më e madhe, sipas mendimit tim, është pranimi i faktit se të gjithë jemi të mjerueshëm, të gjithë jemi shpërndarë në këtë botë si kalimtarë. Për këtë, duhet një shpërndarje dhe kohë për ta pranuar. Nuk është aq e thjeshtë.
Megjithatë, fatin e tij askush nuk e di. Askush nuk e di sa do të jetë. Disa njerëz largohen nga kjo botë shumë të rinj, shumë të vegjël, ndërsa të tjerët kanë fat të madh dhe jetojnë derisa bëhen ‘të moshuar’. Gjithçka që mbetet në dorën tonë është ta pranojmë jetën ashtu si është, me të mirat dhe të këqijat, dhe të mësojmë të lundrojmë drejt së ardhmes”, -thotë znj. Dollani.
Matilda shprehet se kjo sëmundje shoqërohet edhe me vështirësi të tjera, fizike, psikologjike, sociale, financiare etj., dhe aspekti financiar luan një rol shumë të rëndësishëm.
“Shpenzimet më të mëdha financiare ndodhin veçanërisht kur kërkohet të udhëtosh jashtë vendit, për trajtim që nuk ofrohet në vendin tonë. Sepse fatkeqësisht ka trajtime që ne nuk i kemi të mundura t’i marrim këtu.
Fatmirësisht, në këto situata, njerëzit janë të mrekullueshëm dhe të gatshëm të të ndihmojnë. Personalisht, familja, shoqëria, miqtë, puna, kolegët dhe madje edhe njerëzit që kam takuar shumë pak në jetë më kanë ndihmuar në masë të madhe. Të gjithë më kanë ndihmuar dhe kanë bërë që unë të vlerësoj jetën më shumë”- shprehet znj. Dollani.
E pyetur se si qëndron praktikisht çështja e mbulimit nga shteti të kostos së trajtimeve, Matilda shpjegon se, terapia e kurës ndryshon në varësi të sëmundjes.
“Terapia që kam ndjekur, ka qenë ndër më të përparuarat në botë, dhe kam pasur fatin që vetëm një-dy vite para diagnozës sime, ajo u hyri edhe në Shqipëri. Kostot e trajtimit u mbuluan nga shteti, me përjashtim të rasteve kur ka pasur mungesë (kjo ndodhi, përfshirë periudhën e seancave të kimioterapisë që kam ndjekur nga prilli deri në shtator 2020, për shkak të situatës së pandemisë).
Ndihma që shteti ofron në këtë rast është e jashtëzakonshme, pasi çmimet e terapive për sëmundjet onkologjike janë të papërballueshme për të gjitha të ardhurat e një individi”- thotë ajo, por nuk përjashton rastet ku medikamente të ndryshme mungojnë dhe do t’i duhet t’i gjejnë vetë, nëpërmjet të njohurve jashtë apo mjekë.
Ajo gjithashtu shpjegon se, vështirësia ekonomike për pacientët është e lidhur edhe me faktin që shumë gra, për shkak të ndërhyrjeve në gjoksin e tyre, dobësimit të sistemit imunitar dhe gjendjes fizike të përgjithshme nga kimioterapia dhe radioterapia, nuk kanë mundësi të punojnë.
“Pjesa që përjetojnë ndërhyrje dhe heqje të gjirit janë të kufizuara në punë që nuk kërkojnë përpjekje fizike, pasi rrezikojnë edemë ose kanë nevojë për seanca fizioterapie për t’u rimarrë. Në disa raste, mund të ketë nevojë për ndihmë sociale (kemp) ose ndihmë psikologjike”, – thotë ajo,
Përveç trajtimit në spital (kimioterapi/radioterapi), kjo sëmundje vazhdon të trajtohet në vitet në vijim me barna që mund të marrin me recetë të rimbursueshme të dhëna nga mjeku specialist, në rrjetin e farmacive publike.
“Përmendim gjithashtu shpenzimet e pacientëve për analiza të veçanta që nuk janë të mbuluara nga shteti, si markuesit tumoralë apo analizat gjenetike, kontrolle si skanim të kockave. PET Scan, të cilat nuk janë të aksesueshme në sistemin shëndetësor publik.
Kjo është një rrugë e vështirë dhe në disa raste kërkon shpenzime të shtuara për analiza/kontrolle të vazhdueshme në institucione private, në varësi të zhvillimit të sëmundjes dhe për të fituar më shumë kohë.
Ushqyerja është një faktor tjetër që luan një rol të madh për pacientët me kancer, duke shtuar koston e jetesës.”- përfundon znj. Dollani.
Çfarë ndodh kur një pacient diagnostikohet me tumor
Mjeket onkologë pohojnë se kujdesi mjekësor për pacientët me tumore në Shqipëri përmirësohet vazhdimisht, dhe përpjekjet janë nën udhëheqjen e autoriteteve shëndetësore për të ofruar trajtime më efikase dhe të arritshme.
Megjithatë, sfidat financiare dhe qasja në trajtim ende mund të jetë një problem për disa pacientë, dhe ndihmat nga organizatat e shoqërisë civile dhe programe të ndryshme mbulimi janë të rëndësishme në këtë kontekst.
Sipas informacioneve të marra, kur një pacient në Shqipëri diagnostikohet me tumor, ka një proces që fillon për trajtimin dhe kujdesin e tyre mjekësor. Këtu janë disa hapa kryesorë që ndodhin në këtë situatë:
-Diagnostikimi: Diagnostikimi i tumoreve është i rëndësishëm dhe zakonisht fillon me konsultimin e një mjeku specialist. Pacientët mund të referohen për analiza të ndryshme të imazhit si radiografi, CT, MRI, ose PET-CT, si dhe për biopsi që do të konfirmojë llojin dhe stadin e tumorit.
-Planifikimi i trajtimit: Pas konfirmimit të diagnozës, një ekip mjekësor do të hartojë një plan trajtimi të personalizuar për pacientin. Ky plan mund të përfshijë operacionin, radioterapinë, terapinë mjekësore, ose një kombinim të tyre, dhe do të bazohet në natyrën dhe stadin e tumorit.
-Trajtimi: Pas planifikimit, pacienti do të nisë trajtimin. Trajtimi i tumoreve mund të bëhet në spitalet publike ose private në Shqipëri.
Në shumicën e rasteve, trajtimi është i disponueshëm në vend dhe mund të mbulohet përmes sigurimeve shëndetësore publike ose private, por ka raste kur pacientët duhet të përballojnë shpenzimet vetë.
-Ndihma dhe mbështetja: Organizata të ndryshme të shoqërisë civile dhe grupet e pacientëve ofrojnë ndihmë dhe mbështetje emocionale për pacientët dhe familjet e tyre. Ata ofrojnë informacion, këshilla dhe ndihmë financiare për trajtimin në disa raste.
-Ndjekja dhe monitorimi: Pas trajtimit, pacientët do të monitorohen dhe do të bëjnë kontrolle të rregullta mjekësore për të vlerësuar efikasitetin e trajtimit dhe për të zbuluar shenjat e rikthimit të tumorit.
Sfidat
Një prej sfidave kryesore që vijnë me kostot e larta të trajtimit të tumoreve është qasja dhe drejtimi i kujdesit shëndetësor. Në vendet me sisteme shëndetësore të varfra, pacientët janë të detyruar të marrin vendime të vështira në lidhje me trajtimin e tyre, bazuar në financat personale dhe mbulimin shëndetësor që ata kanë.
Në këtë proces, disa pacientë mund të ndihen të kufizuar nga kostoja e trajtimit, duke rrezikuar vonesën ose refuzimin e kujdesit të nevojshëm mjekësor. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është investimi në shkencën dhe kërkimin mjekësor që synon të zhvillojë mënyra më efikase dhe të lira për trajtimin e tumoreve.
Sipas mjekëve që kemi kontaktuar, kërkimi në fushën e onkologjisë është vazhdimisht në rritje, por sfidat e financimit dhe zhvillimit të terapive inovative shpesh lënë pyetje mbi aksesin dhe kostot. Përpjekjet për të reduktuar kostoja dhe për të siguruar që trajtimi kundër tumoreve të jetë i arritshëm për të gjithë janë një pjesë e rëndësishme e debatit në shëndetësinë globale.
Diagnostikimi i hershëm
Diagnostikimi i hershëm është një nga strategjitë më efektive në uljen e numrit të vdekjeve nga kanceri. Edukimi i popullatës për simptomat e hershme dhe programet e koordinuara të depistimit dhe aksesi i lehtësuar në shërbimet mjekësore janë ndër mënyrat kryesore për të arritur në diagnostikim të hershëm.
Sipas studimeve që kanë hulumtuar aksesin në kujdes shëndetësor në grupe me rrezik të lartë në popullatë; Studimi i vulnerabilitetit shëndetësor i vitit 2018, tregon se nga 75% deri në 95% e atyre që kishin nevojë për kujdes/trajtim, ose që ishin këshilluar për të kryer ekzaminime të mëtejshme, mundën ta merrnin atë në sektorin publik.
Aksesi është më i ulët në grupet me cenueshmëri të lartë (individët e varfër, të papunët, komuniteti rom, etj.) dhe në disa kategori specifike bie edhe nën targetin 50% të strategjisë së vendosur nga autoritetet.
Sa u përket programeve të depistimit, në Shqipëri është duke u kryer depistimi me mamografi për kancerin e gjirit, depistimi me Pap Test dhe HPV test për kancerin e qafës së mitrës dhe depistimi i kancerit kolorektal me fece gjak okult i përfshirë në ekzaminimet vjetore të check-up.
“Pavarësisht se përpjekjet për parandalim dhe diagnostikim të hershëm janë shtuar në vitet e fundit në Shqipëri, ka ende shumë vend për përmirësim në mënyrë që ato të kenë ndikim më të lartë në uljen e numrit të rasteve të reja dhe uljen e numrit të vdekjeve nga kanceri”, -shprehet mjeku onkolog Euglent Hoxha.
Një vit më parë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale prezantoi Programin Kombëtar të Kontrollit të Kancerit 2021-2031, në të cilin shprehet se, për herë të parë në Shqipëri nisi financimi i vaksinës HPV për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës të gratë, vaksinë e cila nis në moshën 11-vjeçare. Kur mungon një ilaç për një pacient me kancer, situata bëhet shqetësuese dhe mund të ketë pasojë të rënda për shëndetin e pacientit. Disa nga sfidat janë:
-Vonesa në trajtim: Mungesa e një ilaçi shpesh shkakton vonesa në trajtimin e pacientit. Kjo mund të ketë pasoja negative në efikasitetin e terapisë, duke lejuar që sëmundja të përkeqësohet.
-Rreziku i përkeqësimit të gjendjes shëndetësore: Në raste kur ilaçi është thelbësor për kontrollin e sëmundjes, mungesa të përkeqësojë gjendjen shëndetësore të pacientit.
-Stresi dhe ankthi i pacientit dhe familjes: Mungesa e një ilaçi shpesh shkakton stres dhe ankth te pacienti dhe familja e tij. Ata mund të ndihen të pakontrollueshëm dhe të pasigurt në lidhje me rezultatin e trajtimit.
-Kostot shtesë për pacientin: Në disa raste, pacientët ose familjet e tyre mund të detyrohen të blejnë ilaçet me shpenzime të veta, duke shtuar një barrë financiare në një moment të vështirë.
-Përpjekjet për gjetjen e alternativave: Mjekët mund të përpiqen të gjejnë zgjidhje alternative ose të komunikojnë me autoritetet shëndetësore për të siguruar ilaçin e nevojshëm. Kjo mund të përfshijë përdorimin e ilaçeve të tjera me efekte të ngjashme ose përpjekjen për të siguruar furnizim nga burime alternative.
Kosto
Kostoja e trajtimit të tumorit në Shqipëri varet në mënyrë të konsiderueshme nga lloji i tumorit, stadi i tij, dhe metodat e trajtimit që përdoren. Po ashtu, ajo ndryshon në varësi të trajtimit në sektorin publik ose privat të kujdesit shëndetësor.
-Një cikël radioterapie mund të kushtojë nga 100,000 deri në 250,000 lekë ose më shumë, në varësi të numrit të seancave dhe lloji i pajisjeve të përdorura.
-Trajtimi i kirurgjik i tumorit varet nga ndërhyrja specifike dhe vendndodhja e tumorit, por kostoja e një operacioni kirurgjik zakonisht fillon nga 150,000 lekë ose më shumë.
-Terapia mjekësore (përfshirë ilaçet kundër tumorit) mund të ketë kosto të ndryshme, por disa ilaçe të reja dhe të avancuara mund të jenë shumë të shtrenjta, duke shkuar në mijëra lekë për një dozë të vetme./Monitor