Rajoni

BIK pezullon faljen e namazeve në të gjitha xhamitë e Kosovës

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), ka marrë disa vendime me rastin e përhapjes së koronavirusit të ri COVID-19 në Kosovë.

Kryetari i BIK-ut, Naim Tërnava, në një video-mesazh në rrjetet sociale, tha se “është obligim fetar që t’u përmbahemi vendimeve dhe masave të rekomanduara për parandalimin e përhapjes së virusit nga organet kompetente”.

Tërnava njoftoi se ndër vendimet e marra është ndalimi i mësimit “në të gjitha institucionet arsimore fetare, në të gjitha xhamitë dhe puna në konviktet islame të Kosovës”.

Po kështu, siç bëri të ditur Tërnava, përkohësisht është anuluar edhe mbajtja e ligjeratave, seminareve dhe takimeve të ndryshme.

“Pezullohet organizimi i umres deri në një vendim tjetër. Të bëhet dezinfektimi i të gjitha objekteve mësimore si në Fakultetin e Studimeve Islame (FSI), konvikte, medrese, objektet administrative të BIK-ut, dhe të gjitha objektet fetare, si xhamitë e të tjera. Pezullohet përkohësisht namazi me xhemat edhe i xhumasë, ndërsa besimtarët porositen që ta falin namazin e drekës si zëvendësim i xhumasë, ndërsa ezani do të vazhdojë të thirret në çdo kohë”, njoftoi kreu i BIK-ut.

Po ashtu, BIK tha se në mbledhje u morën edhe disa rekomandime, ndër të cilat rekomandohet pezullimi i të gjitha tubimeve me rastin e ngushëllimeve, të pameve, ndërsa ceremonitë e varrimit të organizohen në një rreth sa më të ngushtë familjar.

Deri më tash në Kosovë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19 tre persona, një 20-vjeçare me nënshtetësi nga Italia që punonte në Klinë, një 77-vjeçar nga Stublla e Vitisë dhe një familjare 39-vjeçare e këtij të fundit. Sipas autoriteteve shëndetësore në vend, gjendja e të treve është stabile.

Për parandalimin e koronavirusit, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë disa masa, përfshirë edhe hyrje-daljet e qytetarëve të komunave nga erdhën të prekurit, Klinë dhe Viti. Ndërkaq, po kështu, Qeveria e Kosovës ka parashikuar ndarjen e një buxheti rej 10 milionë eurove si masë mbrojtje ndaj koronavirusit COVID-19./AA

OPINIONE