Të dhënat e siguruara nga BIRN në Departamentin e Drejtësisë në SHBA tregojnë se gjatë vitit 2016, LSI ka bërë pagesa në vlerë 267,804 USD për kompaninë e saj të lobimit në Uashington, Global Security and Innovative Strategies, GSIS.
Pagesat përfshijnë tarifën mujore fikse prej 30,000 USD për kompaninë amerikane si dhe rimbursim të shpenzimeve, që kjo e fundit ka bërë gjatë përfaqësimit të interesave të liderëve të LSI-së pranë kongresit të SHBA-ve dhe administratës amerikane.
Shumat e paguara për GSIS-së i kanë siguruar liderëve të LSI-së takime të nivelit të lartë në Uashington. Megjithatë, LSI ka dështuar t’i raportojë të gjitha shpenzimet e kryera për llogari të kompanisë amerikane në raportin vjetor financiar të administruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ për vitin 2016, çka ngre dyshime për origjinën e parave dhe përbën shkelje ligjore.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se shpezimet e raportuara nga LSI në KQZ nën zërin konsulenca për vitin 2016, janë tre herë më të vogla se pagesat që ajo ka bërë për GSIS.
E kontaktuar nga BIRN, LSI nuk iu përgjigj deri në botimin e këtij shkrimi një kërkesë për koment mbi mosraportimin e plotë të pagesave të bëra për lobuesin amerikan dhe gjithashtu nuk sqaroi origjinën e parave me anë të të cilave GSIS është paguar.
GSIS është një kompani konsulence me qendër në Uashington D.C., e cila përfshin në mes të partnerëve të saj ish zyrtarë të lartë amerikanë si ish-kreu i Shërbimit Sekret Mark Sullivan dhe ish-kreu i Departamentit të Doganave dhe Kufirit në SHBA, David Aguilar.
Ajo është një nga dy kompanitë lobuese të angazhuara në Uashington nga LSI gjatë 12-muajve të fundit.
Përveç kontratës me GSIS, që ka vazhduar edhe në vitin 2017, LSI ka kontraktuar në Janar të këtij viti edhe kompaninë e lobimit McKeon Group, për t’i siguruar liderit të saj, Ilir Meta një ftesë në inaugurimin e presidentit të ri të SHBA-së, Donald Trump.
Në dy dokumente të depozituar në Departamentin të Drejtësisë në SHBA, GSIS ka nënvizuar se gjatë vitit 2016 e ka “këshilluar LSI-në në lidhje me marrëdhënien e saj me qeverinë e SHBA-së dhe liderët politikë të saj, ndërkohë që Republika e Shqipërisë bënte progres me reformën kushtetuese si dhe modernizimin e ekonomisë.”
Kompania amerikane ka siguruar një sërë takimesh për liderin e LSI-së, Ilir Meta dhe ministrin e Bujqësisë, Edmond Panariti në SHBA.
Të dhënat e Departamentit të Drejtësisë tregojnë që GSIS e ka asistuar Metën gjatë vizitës së tij nga 11 deri në 16 maj në Uashington, si dhe gjatë një vizite të dytë në periudhën 6-8 qershor. Gjithashtu, kompania lobuese amerikane ka siguruar takime në SHBA për Panaritin në datat 12-13 korrik.
GSIS i ka mundësuar kryetarit të LSI-së takime me anëtarë të Kongresit në SHBA, takime me zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë dhe të Departamentit të Shtetit.
Me asistencën e GSIS, Meta është takuar me 11 maj me Kryetarin e Komisionit të Ligjeve dhe Procedurave në Kongresin Amerikan, z. Pete Sessions dhe Kryetarin e Komisionit për Sigurinë Kombëtare, z. Michael McCaul.
Sipas një njoftimi për shtyp të shpërndarë në atë kohë nga zyra e Kuvendit, gjatë takimit është diskutuar mbi “çështjet dhe prioritetet e sigurisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, duke theksuar nevojën për përforcimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të luftës kundër terrorizmit, me vëmendje të veçantë ndaj krizës së refugjatëve dhe zhvillimeve në rajon dhe Lindjen e Mesme.”
Gjatë të njëjtës ditë në Uashington, kompania e tij lobuese i ka siguruar kryetarit te LSI-së një takim me kreun e Nënkomisionit për Bujqësinë në Kongresin Amerikan, Robert Aderholt, si dhe me Administratorin e Shërbimit të Jashtëm në Departamentin e Bujqësisë, Phil Karstings.
Me ndihmën e GSIS, Meta ka drekuar dhe ka mbajtur një fjalim më 12 Maj përpara anëtarëve të Qendrës Truman për Politika Kombëtare si dhe është takuar me Asistent Prokurorin e Përgjithshëm, Bruce Swartz.
Vizita e Metës në SHBA ka vazhduar në 13 maj me një ndalesë ne fondacionin “Heritage” dhe më vonë takime me kongresmenin John Katko. Në të njëjtën ditë, ai është takuar me zv/Ndihmës Sekretarin e Shtetit Hyot Lee si dhe Zv/Sekretarin Alan Bersin nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare.
Meta e ka finalizuar vizitën e tij në SHBA me 16 maj, me një takim me senatorin John Cornyn dhe një fjalim në Institutin për Politika Progresive – edhe ky i fundit i siguruar nga kompania e tij e lobimit.
Kryetari i parlamentit Ilir Meta është rikthyer në Uashington për një vizitë të dytë në datat 6-8 qershor, ku takimet e tij me zyrtarët amerikanë janë ndëmjetësuar përsëri nga GSIS. Gjatë kësaj vizite, Meta është takuar me zv/Sekretarin William Brownfiled në Departamentin Amerikan të Shtetit, si dhe me përfaqësuesit tregtar të SHBA, Timothy Wedding dhe Bill Moller.
Në fund të vizitës së tij të dytë në Uashington brenda një periudhe 1 mujore, Meta ka marrë pjesë në një tryezë të rrumbullakët në universitetin “George Washington”
Ndërkohë, vizita e Panaritit në SHBA është realizuar një muaj më vonë, kur me ndihmën e GSIS në 12-13 korrik ai është takuar me Phil Karstings nga Departamenti i Bujqësisë dhe kongresmenin Robert Aderholt.
Pas Gushtit 2016, puna e GSIS është përqendruar në kontakte me zyrtarëve të administratës amerikane në lidhje me një marrëveshje dypalëshe midis SHBA dhe Shqipërisë për kriptimin e të dhënave që transmetohen në internet e njohur si “SRTP.”
Në lidhje me këtë marrëveshje, GSIS ka pasur kontakte të vazhdueshme me Departamentin e “Homeland Security” si dhe ambasadën në Tiranë. Në fund të Tetorit, GSIS është vënë në kontakt me kongresmenin nga Alabama, Robert Aderholt për të qenë i ftuar nderi në konventën e LSI-së. Ftesa për të qenë pjesë e konventës së LSI-së kanë marrë edhe kongresmenët Michael McCaul dhe Pete Sessions nga Teksasi, si dhe John Katko nga New York dhe Mimi Walters nga Kalifornia.
Asistenca e kompanisë amerikane ndaj LSI-së ka vazhuar dhe në fillim të 2017, gjatë vizitës së liderit të LSI-së Meta në Uashington me rastin e inagurimit të Presidentit Donald Trump.
Me 18 Janar, GSIS ka shoqëruar Metën në takimin me kongresmenin Pete Session, ku është “diskutuar partnershipi i vazhdueshëm me administratën e re” të udhëhequr nga Trump. Në të njëtën ditë, Meta ka darkuar me Asistent-Sekretarin për Marrëdhënie Ndërkombëtare në “Homeland Security”, Alan Bersin.
Ndërkohë, po me ndihmën e lobuesit amerikan, Meta është pritur në Departamentin e Shtetit me 23 Janar nga Drejtori i Zyrës për Europën Juglindore.
Nga Janari 2016 deri me 31 Janar 2017, LSI i ka paguar GSIS-së 297,804 USD në total në formë tarife mujore dhe rimbursim të shpenzimeve të kompanisë amerikane. Nga kjo shifër, 267, 804 USD i përkasin vitit 2016, ndërsa një pagesë prej 30,000 USD është bërë në 18 Janar 2017.
Por ndryshe nga sa tregojnë dokumentet amerikane, në raportin e saj vjetor financiar të dorëzuar në KQZ, LSI ka raportur shpenzime për konsulencë në vlerën 11.7 milionë lekëve (91 mijë USD) – gati tre herë më pak se shpenzimet reale që ajo ka pasur.
Përveç pagesave për GSIS, në Janar 2017 LSI ka paguar dhe kompaninë e lobimit McKeon Group me 15 mijë USD. McKeon Group është një kompani lobimi me qendër në Uashingtn D.C, e udhëhequr nga ish kongresmeni i Partisë Republikane Howard P. “Buck” McKeon.
Pas pjesëmarrjes së Metës në inagurimin e Presidentit Trump, kontrata me McKeon Group është ndërprere më 13 Shkurt, me shënimin se qëllimi i saj “ishte përmbushur”./reporter.al- Besar Likmeta