Biseda telefonike mes Putin dhe Macron për të kapërcyer përçarjet e thella

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe udhëheqësi i ri francez, Emmanuel Macron, kanë zhvilluar bisedën e tyre të parë telefonike në një përpjekje për të kapërcyer përçarjet e thella të cilat u zgjeruan gjatë zgjedhjeve presidenciale të Francës.

Moska duket se mbështeti kundërkandidaten e ekstremit të djathtë të Macron, Marine Le Pen dhe sulmet kibernetike në fushatën e Macron ishin të lidhura me Moskën. Megjithatë, Putin dhe Macron të enjten shprehën “gatishmërinë reciproke për të zhvilluar marrëdhëniet miqësore ruse-franceze tradicionalisht në fushat politike, tregtare, ekonomike, kulturore, humanitare dhe të tjera”, njoftoi Kremlini. Të dy udhëheqësit ranë dakord të “punojnë së bashku në çështjet aktuale ndërkombëtare dhe rajonale, duke përfshirë luftën kundër terrorizmit” dhe të bashkëpunojnë në përfundimin e luftës trevjeçare në Ukrainën lindore. Parisi ishte pjesë aktive e fushatës së Perëndimit për të ushtruar presion ndaj Moskës nëpërmjet sanksioneve dhe mjeteve të tjera gjatë krizës së Ukrainës dhe e kërcënimeve ushtarake të udhëhequra nga SHBA afër kufijve të Rusisë. Pas fitores zgjedhore të Macron më parë këtë muaj, Putin i kërkoi atij të punonte së bashku përballë “kërcënimit në rritje të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”. Një zyrtar i presidencës franceze tha se Putin kishte bërë thirrjen telefonike, për të përgëzuar Macron për zgjedhjen e tij dhe emërimet e kabinetit. Tradicionalisht të dyja vendet kanë pasur lidhje të ngushta, por marrëdhëniet janë tendosur pasi Parisi u bashkua me fushatën kundër Rusisë gjatë krizës në Ukrainë. Ndihmësi i Macron tha se pavarësisht qëndrimeve divergjente në një numër çështjesh, të dy udhëheqësit “vunë në dukje marrëdhënien e vjetër dhe të vetme midis dy vendeve, të cilat kanë pasur 300 vjet marrëdhënie diplomatike”. “Duke përmendur gjeneralin de Gaulle, Presidenti Putin nënvizoi faktin se Franca dhe Rusia ishin të forta kur ata ishin të bashkuar”./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne