Bisedimet Kosovë-Serbi, BE nuk komenton raportimet për angazhimin e një të dërguari të posaçëm

Bashkimi Evropian refuzoi të komentojë raportimet mediatike sipas së cilave Franca dhe Gjermania janë dakord rreth angazhimit të një të dërguari të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi.

Prej nëntorit 2018, bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë nuk po vazhdojnë më, pasi qeveria e Kosovës vendosi të rrisë me 100 për qind taksën për mallrat dhe produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina.

Ky vendim u mor një ditë pasi Kosova nuk mundi të anëtarësohej në Interpol si pasojë e fushatës së Serbisë kundër anëtarësimit të saj.

Mediat kanë raportuar rreth një dakordësie mes Parisit dhe Berlinit për të angazhuar një të dërguar të posaçëm, i cili do të merrte përsipër mbarëvajtjen e dialogut Prishtinë-Beograd.

E pyetur nga EWB, nëse ka patur ndonjë hap përpara rreth këtij propozimi nga BE, zëdhënësja Maja Kocijančič, tha se “BE do të përdorë të gjitha mundësitë për të avancuar strategjinë e procesit integrues të Ballkanit Perëndimor, kjo në bashkëpunim me rajonin, vendet anëtare apo dhe partnerët globalë”.

Por përtej kësaj, Kocijančič u shpreh se “ne (BE) nuk komentojmë raportimet e shtypit”.

Kocijančič kujtoi se BE ka një rrjet përfaqësuesish në rajon, duke përfshirë këtu ata të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që është angazhuar për të lehtësuar dialogun Prishtinë-Beograd.

Ideja e një të dërguari të posaçëm u bë e njohur për mediat nga Josep Borrell, aktualisht komisioner dhe zëvendëspresident i Komisionit Evropian.

Radio Evropa e Lirë dhe Politika kanë vënë në diskutim aftësitë dhe qëllimet e Borrellit për të lehtësuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duke qenë se ai vjen nga një vend si Spanja, e cila nuk e njeh Kosovën. Në Spanjë Borrell ka qenë qeveritar me postin e Ministrit të Jashtëm.

Sipas EWB, rolin kryesor të kësaj nisme të re po e luan Gjermania, e cila sipas Radio Evropa e Lirë po kërkon që të dërguarin e posaçëm ta nominojë ajo. Raportim që më vonë u sqarua nga Ambasada Gjermane në Kosovë, e cila deklaroi se “rolin kryesor për ta ndërmjetësuar procesin duhet ta ketë BE-ja”.

Në muajin gusht, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, emëruan Matthew Palmerin si Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor, i cili tha se “se Kosova dhe Serbia do të jenë një nga fokuset e tij kryesore”.

Bisedimet Kosovë-Serbi nisën në vitin 2011 si një proces që do të siguronte paqe, stabilitet, bashkëpunim mes dy vendeve dhe ecuri drejt integrimit në BE. Pas ndërprerjes së bisedimeve, për muaj me radhë ka patur thirrje nga ndërkombëtarët që procesi të rifillojë./ exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne