Biznesi i “rikthen sytë” në tregjet e huaja për lëndët e para/ Ndryshon tendenca e diktuar nga pandemia dhe lufta në Ukrainë

Ndërsa veçanërisht periudha e pandemisë e më tej konflikti në Ukrainë, i nxiti bizneset shqiptare të hidhnin sytë nga tregu i brendshëm për të siguruar lëndë të para, tendenca po ndryshon këtë vit. Ato po i drejtojnë sytë tashmë nga tregjet ndërkombëtare për sigurimin e lëndëve të para. Një vrojtim i Bankës së Shqipërisë për këtë qëllim ka zbardhur se pjesa më e madhe e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (specifikisht rreth 52% e ndërmarrjeve të vogla dhe 37% e atyre të mesme) e sigurojnë mbi 80% të lëndës së parë brenda vendit.  Krahasuar me periudhën paraardhëse, ky tregues ka rënë me 2.7 pikë përqindje në rastin e ndërmarrjeve të vogla dhe me 1.9 pikë përqindje për ndërmarrjet e mesme.
Nga ana tjetër, rreth 39% e ndërmarrjeve të mëdha sigurojnë  vetëm deri në 20% të lëndës së parë brenda vendit, me një rënie gjashtëmujore prej 1.5 pikë përqindje. Shitja e produkteve vijon të mbetet kryesisht brenda vendit, ku rreth 83% e ndërmarrjeve të vogla, 69% e ndërmarrjeve të mesme dhe 55% e ndërmarrjeve të mëdha, kanë deklaruar se kanë shitur shumicën e produkteve në tregun vendas (mbi 80% të volumit të produkteve).  Krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm, ka pasur një rënie prej 1.6 pikë përqindje të peshës së ndërmarrjeve të vogla dhe 2 pikë përqindje të ndërmarrjeve të mëdha që i shesin produktet e tyre kryesisht brenda vendit, ndërkohë që pesha e ndërmarrjeve të mesme që deklarojnë një gjë të tillë është rritur me 3.3 pikë përqindje.

Nga analiza e përgjigjeve sipas sektorëve, rezulton se sektori i ndërtimit dhe ai i shërbimeve janë sektorët me varësinë më të madhe ndaj lëndës së parë të siguruar në vend, ku respektivisht 57% dhe 51% e ndërmarrjeve të këtij sektori siguron mbi 80% të lëndës së parë brenda vendit. Gjithsesi, këto pesha kanë shënuar rënie me 5 pikë përqindje dhe 6 pikë përqindje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me 12 pikë përqindje dhe 10 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Nga ana tjetër, sektori i industrisë shfaq varësinë më të ulët, ku 52% e ndërmarrjeve të këtij sektori sigurojnë vetëm 20% të lëndës së parë brenda vendit. Pesha e këtyre ndërmarrjeve ka mbetur pothuaj e njëjtë me gjashtë muaj më parë dhe ka shënuar rritje me 3.3 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne