Blerina Bala zgjidhet kryetarja në detyrë e Bashkisë së Himarës

Blerina Bala është zgjedhur kryetare në detyrë e Bashkisë së Himarës, e propozuar dhe mbështetur nga partia në pushtet, Partia Socialiste e Shqipërisë (PS), si dhe e mbështetur edhe nga parti të tjera opozitare. Bala, e cila më parë ka mbajtur postin e nënkryetares së kësaj bashkie u zgjodh në këtë detyrë nga Këshilli i Bashkisë së Himarës, gjatë mbledhjes së zhvilluar sot, mbledhje e cila në fillim u shoqërua me tensione.

Tensionet ndodhën pasi disa mbështetës të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Alfred Beleri, i cili ndodhet në burg, hynë në ambientet e sallës ku po zhvillohej mbledhja e këshillit në Bashkinë e Himarës, duke kundërshtuar praninë e përfaqësuesve të PS-së dhe Prefekturës së Vlorës. Në lidhje me zgjedhjen e Balës ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në rrjetet sociale ka shkruar se zgjedhja e sotme nga Këshilli Bashkiak i Himarës, me 15 vota pro dhe vetëm 4 kundër, e nënkryetares së bashkisë, Blerina Bala, si kryetare në detyrë është një zhvillim pozitiv për vazhdimin e punës së qeverisë vendore.

“Përpjekja e dështuar e një grushti individësh të nxitur për ta penguar këtë zhvillim të bazuar në detyrimin përkatës ligjor të Këshillit Bashkiak, tregoi qartë faktin e thjeshtë se shumica e madhe e himariotëve nuk i përkasin llogores së konfliktit, përçarjes dhe amplifikimit absurd të një sherri primitiv, i cili ushqehet për interesa dhe hesape që s’kanë asnjë lidhje me interesat dhe nevojat legjitime të popullit të Himarës”, ka shkruar Rama.

Vendimi i Këshillit Bashkiak i cili përbëhet nga 21 këshilltarë, vjen pas disa zhvillimeve që lidhen me arrestimin e Belerit dhe kryetarit që ishte në detyrë në Bashkinë e Himarës, Jorgo Goro. Goro u arrestua më 23 mars 2024 i dyshuar sipas autoriteteve për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, ndërkohë pas arrestimit ai dha dorëheqje nga posti i kryetarit në detyrë të Bashkisë së Himarës.

Më 12 maj 2023, Policia e Shqipërisë arrestoi kandidatin e disa partive opozitare për kryetar të Bashkisë Himarë, në Qarkun e Vlorës, Alfred Beleri, së bashku me një person tjetër, të akuzuar për veprën penale “korrupsioni aktiv në zgjedhje”. Pas përfundimit të numërimit të votave pas zgjedhjeve vendore të 14 majit, Beleri rezultoi fitues.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë (GJKKO) e dënoi më 5 mars me dy vite burg Belerin për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”. Arrestimi i Belerit, i cili njihet si anëtar i minoritetit grek në Shqipëri, ka shkaktuar reagime të partive politike dhe të zyrtarëve të institucioneve të ndryshme në Shqipëri dhe Greqi./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne