Rajoni

Bosnjë dhe Hercegovina nuk e njeh Kosovën, anëtari serb voton kundër

Zheljko Komshiç, anëtari i Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës (BeH), sot deklaroi se nuk flitet për zhvendosjen e ambasadës së BeH-së nga Tel Avivi në Kuds dhe se ai dhe kryesuesi aktual Shefik Xhaferoviç votuan për njohjen e Kosovës në një nga dy seancat e jashtëzakonshme të sotme, ndërsa Milorad Dodik ishte kunde.

Gjatës seancës së rregullt të mbajtur sot në Presidencën e BeH-së, u diskutuan disa pika, si situata me pandeminë e koronavirusit dhe lufta kundër migracionit të paligjshëm. Komshiç gjithashtu theksoi se u shty diskutimi për zbatimin e programit të reformës, sepse nuk ishte i kompletuar i gjithë raporti i Këshillit të Ministrave të BeH-së, por vetëm një segment nga Ministria e Mbrojtjes.

“Diskutuam mini-Shengenin dhe eventualisht propozimin e Dodikut. Ai sugjeroi që BeH të bashkohet menjëherë me mini-Shengenin. Përfundimi ynë është pak më ndryshe nga sugjerimi i tij. Së pari duhet të shikojmë se çka nënkupton mini-Shengeni, ne me siguri e mirëpritëm iniciativën si Presidencë, sepse çdo iniciativë që lehtëson lëvizjen e njerëzve dhe mallrave në rajon është e mirëpritur. Kemi udhëzuar Këshillin e Ministrave të bëjë një propozim, pra një analizë të asaj se çka do të thotë kjo për BeH-në, duke përdorur metodologjitë që janë përcaktuar tashmë kur bëhet fjalë për të analizuar iniciativa të tilla, pra se si korrespondon me iniciativat e tjera që tashmë ekzistojnë në rajon”, theksoi Komshiç.

Ai gjithashtu iu referua dy seancave të jashtëzakonshme të Presidencës së BeH-së, të cilat u mblodhën me kërkesën e tij dhe të Dodik. Komshiç parashtroi kërkesë për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme në temën e njohjes së Kosovës dhe Dodik parashtroi kërkesë për të diskutuar zhvendosjen e Ambasadës së BeH-së në Izrael nga Tel Avivi në Kuds.

“Propozimi im ishte të mos diskutohej zhvendosja e ambasadës së BeH-së nga Tel Avivi në Kuds, sepse ajo është thjesht në kundërshtim me Rezolutën e OKB-së, e cila përcakton Kudsin në kontekstin e konfliktit izraelito-palestinez, që zgjat për dekada, sepse një vendim i tillë do të nënkuptojë se BeH, e cila votoi për një akt të tillë në Kombet e Bashkuara, shkel atë akt, pra paraqiten pasoja të mëdha për BeH-në, kryesisht në nivelin ndërkombëtar. Nuk duhet të shpjegoj në veçanti se çfarë do të thotë kjo kur bëhet fjalë për botën arabe në radhë të parë”, tha Komsiç, duke shtuar se propozimi i tij ishte që ajo që zyrtarët e Kosovës dhe Serbisë ranë dakord në Washington të mos lidhej me BeH-në.

Ai tha se “Sidomos çështja e zhvendosjes së ambasadës, e cila nuk është çështje teknike, por një çështje madhore globale, dhe në atë rast diskutimi për njohjen e Kosovës thjesht duhet të shtyhet. Sepse, nga njëra anë, ju i referoheni asaj për të cilën ranë dakord Vuçiç dhe Hoti, dhe nga ana tjetër, nuk doni të shkoni në realizimin e asaj që rrjedh nga marrëveshja e tyre në lidhje me tërë rajonin, dhe ka të bëjë me njohjen e Kosovës. Dodik nuk e pranoi këtë”.

“Ne votuam 2:1, propozimi i tij për zhvendosjen e ambasadës nga Tel Avivi në Kuds u refuzua. Pastaj, pas kësaj, në seancën tjetër të jashtëzakonshme, ne morëm një vendim, 2:1, Xhaferoviç dhe unë, që BeH ta njohë Republikën e Kosovës si shtet të pavarur. Sigurisht, duke marrë parasysh që Dodik ishte kundër kësaj, kjo duhet të jetë tema e diskutimit të radhës në seancën e Presidencës, sepse kështu është rregullorja. Dhe, nëse kjo është mënyra se si pritej deri më tani, atëherë Dodik do të kërkojë për një seancë të veçantë të Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska, me siguri duke paraqitur ato qëndrime tashmë të njohura, ku lidhen Kosova dhe BeH, pra statusi i Republikës Srpska dhe Kosovës, i cili për mendimin tim është jashtë të çdo mendjeje dhe thjesht një histori e rrezikshme që mund të përshkallëzohet në historinë e shkëputjes në BeH dhe të gjithë e dini se ku do të çonte kjo dhe në cilin rreth ferri do të hynim me një histori si kjo”, tha Komshiç./AA

OPINIONE

INTERVISTA