Ja si ndryshon kupola e SPAK…
Kryeprokurori i SPAK Klodian Braho ka përcaktuar strukturën e re të Prokurorisë së Posaçme.
Pas marrjes së detyrës në fund të dhjetorit, gjëja e parë që ka bërë Braho këtë fillim vit është përcaktimi i shefave të seksioneve: atë të Korrupsionit, atë të Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit si dhe të Marrëdhënieve me Jashtë.
Mësohet se Altin Dumani merr detyrën e shefit të Seksionit për Marrëdhëniet me Jashtë. Dumani në këtë pos zëvendëson Dorina Bejkon, e cila u emërua provizorisht pas shkarkimit që ju bë Arben Krajës nga Dumani pak para se të votohej për kreun e ri të BKH.
Dorina Bejko ndërkohë merr drejtimin e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit, duke zëvendësuar në këtë post vetë Klodian Brahon. Ndërsa prokurori Vladimir Mara merr drejtimin e Seksionit Kundër Krimit të Organizuar, duke zëvendësuar Adnan Xholin.
Klodian Braho u zgjodh në krye të SPAK më 11 dhjetor. Ai mori 7 vota pro, teksa kandidonte përballë: Elvin Gogajt, Adnand Xholit dhe Doloreza Musabelliu.
Braho u emërua si prokuror në këtë institucion më 19 dhjetor 2019, pas konfirmimit në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në kuadër të procesit të rivlerësimi ose ndryshe siç quhet, procesi i vettingut.
Braho ka hyrë në sistemin e drejtësisë më 14 nëntor 2007, pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe Shkollën e Magjistraturës.
Karrierën si prokuror e nisi në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, ku punoi deri në vitin 2012. Më pas u transferua në Prokurorinë e Vlorës, ku ushtroi detyrën deri në vitin 2015, përfshirë një periudhë si zëvendësdrejtues i këtij institucioni.
Në vitin 2015, Braho u emërua në Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë, ku u përfshi në hetime të çështjeve me karakter të veçantë penal. Pas shpërbërjes së kësaj prokurorie dhe krijimit të SPAK, ai u emërua prokuror në strukturën e re.
Gjatë karrierës së tij, Braho ka qenë pjesë e hetimeve që lidhen me zyrtarë të lartë dhe subjekte të dyshuara për krim të organizuar. Ndër dosjet që ka ndjekur përmendet ajo ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.
Në korrik të vitit 2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi në detyrë me vendimin nr. 191, duke i hapur rrugë emërimit në SPAK.
Në vitin 2022, ai u përfshi në procesin e kandidimit për postin e kreut të SPAK, por më pas u tërhoq nga gara. /Pamfleti















