Kur vendosi të hyjë në garë për kryetar të PD-së së Korçës, Bravaldi Xhafkaj ishte konsultuar paraprakisht me kryetarin e PD-së, Sali Berisha, dhe kishte marrë prej tij mbështetjen për këtë garë. Madje, ishte ndër të parët që u angazhua në krah të Berishës në momentet e para të rithemelimit. Bravaldi vjen nga një familje me kontribute të njohura në PD-në e Korçës dhe vetë është angazhuar që në adoleshencë, me mbi një dekadë aktivitet politik. Njihet në rrethin e demokratëve, por edhe më gjerë në qytet, si një prej atyre që nuk janë lëkundur asnjëherë. Megjithatë, sot ai gjendet i përjashtuar nga gara për kryetar të PD-së në Korçë, me një arsye që tingëllon sa absurde, aq edhe i rrezikshme: për shkak të besimit të tij mysliman.
Një justifikim i sajuar për të nxjerrë nga loja një kandidat, por njëkohësisht një sinjal i fortë për atë që po ndodh brenda partisë. Sepse kur fillon të përdoret feja si filtër politik, problemi nuk është më thjesht një garë e deformuar, por një krizë më e thellë që prek vetë kohezionin e PD-së, në Korçë dhe përtej saj.
Në një intervistë për Tema, Bravaldi Xhafkaj flet për një garë të diktuar, për një lidership që vendos rregullat dhe për klane që, sipas tij, nuk kanë asnjë lidhje me standardet minimale të një gare demokratike. Ai ndalet te roli i drejtuesve të PD-së dhe ndikimi i tyre në prishjen e garës në Korçë, duke shkuar më tej: sipas tij, këta drejtues, që japin urdhra për përjashtime, në fakt po punojnë në interes të Niko Peleshit në qytet.
Në këtë pikë, pyetja që ai ngre nuk është më personale. Është një pyetje që rri pezull mbi të gjithë demokratët: a duan realisht drejtuesit e Partisë Demokratike të fitojnë zgjedhjet? Nuk është thjesht dilema e një kandidati të përjashtuar, por një dyshim që, sipas tij, po bëhet gjithnjë e më i përhapur në Korçë dhe në gjithë Shqipërinë.
Si një nga të rinjtë aktivë në parti, Xhafkaj kundërshton hapur valën e përjashtimeve. Ai e konsideron një luks të tepruar politik përjashtimin masiv të njerëzve nga gara apo nga vetë partia, në një kohë kur PD numëron më shumë se 13 vite në opozitë. Edhe më e gjatë është koha e opozitës në Korçë ku prej 20 vitesh PD nuk ka arritur të fitojë pushtetin vendor.
Rasti i tij, bashkë me përjashtime të tjera, forcon një perceptim gjithnjë e më të artikuluar: se lidershipi i PD-së nuk e ka më ambicien për të fituar zgjedhjet, por për të ruajtur status quo-në, karrigen e kryetarit dhe një rreth të ngushtë rreth tij. Dilema e demokratëve, në këtë kontekst, duket se po qartësohet: beteja e Berishës shihet më shumë si një përpjekje për të mbajtur opozitën nën kontroll, sesa për ta çuar atë drejt fitores përballë Ramës.
Bravaldi Xhafkaj e konsideron shqetësuese përpjekjen për të futur ndasi fetare në PD-në e Korçës. Sipas tij, kjo është diçka e panjohur për këtë degë dhe për vetë traditën e qytetit, ku balancat fetare nuk kanë qenë kurrë problem, as në politikë dhe as në jetën publike.
Ai mohon kategorikisht edhe ndërhyrjen e Ervin Salianjit në garën e Korçës, një akuzë që, sipas tij, artikulohet në mënyrë të tërthortë nga drejtues në Tiranë. Përkundrazi, shton se Salianji ka një përballje të drejtpërdrejtë me Sali Berishën. Megjithatë, kujton se Salianji ka qenë deputet i Korçës dhe një nga figurat që ka pasur mbështetjen më të madhe në qark nga kolegët dhe strukturat lokale./gazetatema















