Opinion

Brexit në kaos, britanikët duan një referendum të dytë

nga Owen Matthews.

Organizatorët e një tubimi në Londër, për mbajtjen e një referendum të ri mbi largimin e Britanisë nga BE, prisnin një pjesëmarrje prej rreth 100 mijë njerëzish. Në fakt në shesh ishin të pranishëm gati 700 mijë, për marshimin e fundjavës “Vota e Popullit”. Ishte protesta më e madhe në Britani, që nga një tubim i vitit 2003 kundër Luftën në Irak. Demonstruesit hodhën parulla kundër Brexit. Mesazhi i dërguar nga numri i madh i protestuesve ishte mjaft i qartë.

Pas gati 2 vite negociatash problematike midis qeverisë konservatore të kryeministres britanike Tereza Mej dhe BE-së, mbështetja për një referendum të dytë, ka pësuar papritur një rritje dramatike. Dhe s’është e vështirë të kuptohet pse. Zonja Mej është bllokuar në një paradoks të pamundur.

Përfaqësuesit e linjës së ashpër në partinë e saj, kërkojnë që Britania të largohet nga unioni doganor dhe tregu i përbashkët. Por vetë ajo gjithashtu i ka premtuar Brukselit, se pas Brexit, nuk do të ketë kufij midis Irlandës së Veriut (pjesë e mbretërisë), dhe Republikës së Irlandës (një anëtare e BE).

Kjo do të thotë që Irlanda e Veriut, duhet të mbetet në mënyrë të përhershme brenda rregullave të BE-së, pavarësisht nga ajo që bën pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar. Mej ka këmbëngulur se nuk do të ketë kufij të brendshëm doganorë brenda Britanisë, gjë që logjikisht do të thotë se pjesa tjetër e vendit duhet të qëndrojë edhe brenda tregut të përbashkët.

“Do ketë një Brexit me union doganor, ose një largim nga BE-ja pa një marrëveshje”- shkroi Robert Peston, kryeredaktor i televizionit britanik ITV News. “Por një marrëveshje mbi Brexit me një marrëveshje doganore, do ta shkaktonte revoltën e mbështetësve të Brexit”.

Është perspektiva e britanikëve për të dalë nga BE pa asnjë marrëveshje, ajo që ka rritur lëvizjen për një referendum të dytë. Në një takim të rëndësishëm javën e shkuar me udhëheqësit e BE-së, kryeministrja britanike nuk solli asnjë propozim të ri në tryezë.

Mej po duket gjithnjë e më shumë si një grua “politikisht e vdekur” që ecën. Gjatë fundjavës, shtypi britanik i bëri jehonë thashethemeve, se mjaft deputetë konservatorë, po planifikonin të sfidonin zyrtarisht lidershipin e zonjës Mej.

Dhe nëse kjo e fundit mbijeton, dhe do jetë në gjendje të arrijë një lloj marrëveshjeje me Brukselin – çka realisht, mund të jetë një Brexit vetëm në emër – ekzistojnë dyshime serioze nëse ajo ka mbështetjen e mjaftueshme nga konservatorët e vet, për të marrë një marrëveshje të miratuar nga parlamenti.

Kjo i lë 3 opsione:mbajtjen e zgjedhjeve të reja, një Brexit pa marrëveshje, ose një referendum të dytë. E para nuk ka gjasa, pasi shpallja e zgjedhjeve të reja duhet të miratohet nga dy të tretat e Parlamentit, dhe konservatorët do të hezitonin të përballeshin me një “hemoragji” elektorale. Një Brexit pa marrëveshje, do të qe ekonomikisht katastrofik, me vetë qeverinë që paralajmëron probleme të mëdha të furnizimeve me ushqime dhe ilaçe, si dhe vonesa të mëdha dhe konfuzion në pikat kufitare të vendosura me shpejtësi midis Britanisë dhe BE.

Sipas kësaj logjike, një referendum i dytë mund të duket mënyra më e mundshme për të dalë nga ngërçi i ardhshëm parlamentar. Dhe kjo do të ishte e siguritë, nëse votuesit do të ndryshonin vendimin e tyre, duke i lejuar zonjës Mej të ketë një rrugë të lehtë për të dalë nga makthi i saj aktual me Brukselin.

Megjithatë, shumica e mbështetësve të Brexit – duke përfshirë edhe vetë Mejin- e kundërshtojnë me pasion atë. “Ne patëm një votim popullor. Njerëzit votuan për të dalë nga BE”- shkroi Xhejkëb Ris-Mog, një ish-bankier i kthyer në deputet konservator, dhe që tanimë drejton Grupin Evropian të Kërkimeve, një klub që përbëhet nga mbështetës së zjarrtë të largimit nga unioni.

“Fushata për një referendum të dytë, po promovohet nga humbësit elitistë, të cilët nuk mund ta pranojnë demokracinë, nëse ajo nuk shkon sipas interesit të tyre”- thuhet në një reklamë në Times. Nxitja e kërkesës së një referendumi të dytë, bazohet në shqetësimin se Brexit nuk përfaqëson më dëshirën e shumicës së britanikëve.

Një studim i sondazheve të fundit të opinionit publik nga grupi i analizës së të dhënave, Focaldata, në muajin gusht duket se e mbështet këtë perceptim. Ajo tregoi se mesatarisht rreth 53 për qind e votuesve, dëshirojnë tani të qëndrojnë në BE. I njëjti studim sugjeroi se rreth 112 zona parlamentare (nga 632 në Angli, Skoci dhe Uells) kishin kaluar nga Brexit në mbështetjen e qëndrimit në union.

Anëtarët e 3 sindikatave më të mëdha të Britanisë së Madhe, mbështesin gjithashtu tani një referendum të ri mbi Brexit, me një diferencë prej më shumë se 2 me 1. Ndër grupet më të zëmshme që bëjnë thirrje për një votim të ri, janë shumica e të rinjve që kanë marrë pjesë në referendumin e parë.

Që nga referendumi i parë në vitin 2016, rreth 650.000 votues kanë vdekur – pothuajse të gjithë nga një segment i popullsisë që e mbështeti me forcë largimin nga BE. Në vend të tyre, një numër i ngjashëm të rinjsh i janë bashkuar me elektoratin – dhe rreth 75 përqind e 18-24 vjeçarëve të Britanisë, e kundërshtojnë Brexit.

Problemi kryesor për fushatën e votimit të dytë është koha. “Numërimi mbrapsht ka filluar që nga marsi i vitit 2017, dhe tashmë ka mbetur vetëm një minutë deri në mesnatë”- shkruan në blogun e tij Kris Grei, profesor në Universitetin e Londrës. “Nëse Brexit duhet të shmanget me anë të referendumit, koha është tani ose kurrë”.

Mej ka kundërshtuar vazhdimisht një referendum të dytë, që nuk është “në interesin kombëtar”. Dhe çdo referendum i ri, duhet të miratohet nga Parlamenti. Laburistët në opozitë, pavarësisht presionit të fortë nga anëtarësia gjatë konferencës së fundit, nuk janë zotuar ende ta mbështesim një nismë të tillë.

Dhe kjo pjesërisht, për shkak se shumë fraksione në parti mes tyre udhëheqësi Xheremi Korbin dhe aleati i tij më i afërt, ministri në hije i Financave, Xhon Mekdonell, që mendojnë se Brexit do t’u mundësojë atyre ndjekjen e një axhendë më radikale socialiste nëse vijnë në pushtet.

Por edhe nëse parlamenti dhe laburistët janë pro, Komisioni Zgjedhor i Britanisë kërkon 10 javë kohë për organizuar referendumin. Dhe ky afat përkon me afrimin e momentin kur Britania duhet të largohet nga BE:29 mars 2019.

Disa udhëheqës evropianë, duke përfshirë edhe presidentin francez Emanuel Makron, kanë deklaruar se afati i fundit i përcaktuar nga Neni 50 mund të zgjatet, dhe se Britania ka ende kohë për të ndryshuar mendje rreth Brexit. Por, mbështetësit e Brexit të linjës së ashpër “e dinë shumë mire, që nëse data shtyhet madje edhe vetëm një ditë, atëherë gjithçka ka marrë fund”, tha një ndihmës qeveritar i lartë britanik, i paautorizuar të zbulojë identitetin.

Për momentin, një Brexit pa marrëveshje mbetet opsioni më i mundshëm. Refendumi i vitit 2016 për t’u larguar nga BE, ka ekspozuar shumë vija ndarëse në shoqërinë britanike – një revoltë e zonave periferike të majta ndaj kryeqytetit, dhe votuesit anti-emigrantë kundër vlerave liberale të një elite metropolitane.

Por më e dukshme nga të gjitha, ishte ndarja mes të rinjve dhe të moshuarve. Në një slogan të shumë demonstruesve të rinj në Londër gjatë fundjavës thuhej:”Brexit vodhi të ardhmen time!”. Por me qeverinë dhe opozitën britanike, që ngurrojnë të konsultohen sërish me qytetarët, protestuesit ka gjasa të injorohen. Po kështu ndodhi edhe 15 vite më parë me protestat kundër luftës./Foreign Policy

 

OPINIONE