Britani e Madhe – Qeveria i rrit rrogën Mbretëreshës Elizabetë II

Qeveria britanike njoftoi të martën një rritje të konsiderueshme të rrogës së Mbretëreshës Elizabetë II.

Lartmadhëria e Saj do të marrë 8 për qind rritje page nga fondet publike për të arritur në 82,2 milionë sterlina, pasi fitimet e arkës së kurorës së Mbretërisë së Bashkuar u rritën me mbi 24 milionë sterlina.

Fondi sovran, i cili paguan për rrogat e oborrit mbretëror, udhëtimet zyrtare dhe mirëmbajtjen e pallateve, do të rritet me më shumë se 6 milionë sterlina në vitet 2018-2019.

Kjo vjen pasi llogaritë treguan se shpenzimet neto zyrtare të Mbretëreshës Elizabetë II u rritën me 2 milionë sterlina vitin e kaluar duke shkuar në rreth 42 milionë sterlina. Udhëtimet zyrtare të saj dhe të familjes mbretërore u kushtuan taksapaguesve britanikë 4,5 milionë sterlina gjatë vitit financiar 2016-2017.

“Clarence House”, një nga rezidencat mbretërore në Londër, ka publikuar ndërkohë llogaritë e saj të përvitshme, të cilat tregojnë se të ardhurat vjetore të Princit të Uellsit nga pronat e tij të trashëguara janë rritur me 1,2 për qind duke shkuar në 20,7 milionë sterlina.

Fondi sovran, i cili paguhet me dy vite vonesë, përbëhet nga para që i jepen Mbretëreshës Elizabetë II nga Thesari. Ai bazohet në fitimet nga të ardhurat e qirasë së pronave të kurorës dhe ky fitim është rritur me 24,7 milionë sterlina në vitin financiar 2016-2017 për të arritur në gjithsej 328,8 milionë sterlina.

Rritja e fondeve vjen në një kohë kur Pallati “Buckingham”, rezidencë e Mbretëreshës Elizabetë II, po i nënshtrohet riparimeve të shkallës së gjerë që mendohet se do të kapin shifrën e 369 milionë sterlinave. Kjo shumë do të shpenzohet për modernizimin e infrastrukturës së ngrohjes, ftohjes dhe asaj elektrike të pallatit mbretëror./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne