Britanikja muslimane kujdeset për qindra jetimë në Pakistan

Britanikja Gufran Kurejshi kujdeset për fëmijët jetimë në tri jetimore që ka hapur vetë para 20 viteve në Pakistan kur kishte pranuar fenë islame.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), Kurejshi thotë se qëllimi themelor i aktiviteteve që zhvillon së bashku me të shoqin është t’u ofrojë jetimëve arsim cilësor, në mënyrë që, siç thotë, fëmijët të mund të qëndrojnë në këmbët e tyre kur të rriten.

Rrëfimi i Kurejshit fillon në vitin 1976, kur ajo u dashurua dhe martua me pakistanezin Muhammed Ahmed Kurejshi.

Kurejshi, vajzë e një familjeje katolike nga një fshat i Londrës, kishte nxitur reagime me t’u martuar me musliman, për arsye të paragjykimeve të familjes kundrejt Islamit. Ndërkaq, pas martesës, Kurejshi kishte filluar t’i studiojë edhe fetë e tjera, dhe përfundimisht përqafon fenë islame.

Teksa kishte qenë në vendlindje, Kurejshi kishte punuar për një kohë të shkurtër në një jetimore, por kishte braktisur punën pasi kishte protestuar ndaj mossigurimit të ushqimit hallall për fëmijët muslimanë aty.

Në vitin 1992 ajo ishte zhvendosur në Pakistan së bashku me të shoqin, ku realizoi projektin e saj për fëmijët jetimë, duke ndërtuar jetimore me qëllim për t’u ofruar fëmijëve jetimë arsimim në shkencat islame dhe moderne në një mjedis të pastër.

Kurejshi, e cila jetimoren e parë e kishte hapur në qytetin Ravalpindi, kujdeset për rreth 500 fëmijë në jetimoret që më pas i hapi në qytetet Karaçi dhe Hanival.

“Përveç arsimit, në të njëjtën kohë i mbështes fëmijët për t’i zbuluar talentet e tyre. Aktualisht, disa nga vajza mund të qepin sikurse rrobaqepës. Po ashtu, përpiqem që fëmijëve t’i ndihmoj t’i gjejnë aftësitë e tyre në punë siç është përdorimi i kompjuterit”, thotë Kurejshi.

Duke treguar se si i ka lindur dëshira për t’u kujdesur për fëmijët dhe të rinjtë që nuk kanë askënd, Kurejshi thotë: “Meqë i shoqi im është pakistanez, ne vinim shpesh për vizitë këtu edhe para se të zhvendoseshim. Në rrugë shihja fëmijë duke lypur dhe të tillë që pastronin xhamat e veturave që ndaleshin në semaforë. Kur pyesja, më thonin se ata nuk kanë askënd. Kjo gjendje më lëndoi thellësisht dhe kjo ishte koha kur unë i propozova të shoqit ta braktiste punën dhe të zhvendoseshim në Pakistan. Në këtë mënyrë, ne do të mund t’u sillnim dobi këtyre fëmijëve, qoftë edhe në masë të vogël.”

Ajo tregon se dy muaj më pas ishin vendosur në qytetin Ravalpindi dhe një shtëpi që kishin marrë me qira e kishin shndërruar në jetimore dhe shton se fillimi ka qenë i vështirë për të për sa i përket adaptimit në një vend të ri.

“Temperaturat eksremisht të larta, ndërprerjet e shpeshta të rrymës elektrike dhe vështirësitë e tjera bënë që ne të vendosnim për t’u shpërngulur në qytetin Mari në afërsi të Islamabadit”, rrëfen më tej Kurejshi.

“Nëse jepni, Allahu do t’ju japë edhe më shumë”

Kurejshi thekson se kujdesi për jetimët ka kuptim të madh për të. “Unë besoj në parimin se ‘nëse jepni, Allahu do t’ju japë edhe më shumë’. Nëse keni qëllim të pastër dhe avanconi në rrugën e duhur, Allahu gjithnjë do t’ju ndihmojë”, thotë ajo.

Ajo tregon se ka siguruar që dhjetëra vajza që kishin qëndruar në jetimoret e saj të martohen, ndërsa thotë se ka edhe prej tyre që studiojnë nëpër universitete. “Lumturia më e madhe për mua është t’i shoh rezultatet e përpjekjeve”, shton Kurejshi.

Duke folur edhe për planet në të ardhmen, ajo thotë se do të vazhdojë të kujdeset për jetimët derisa të jetë gjallë.

“Do të vazhdoj të kujdesem për jetimët derisa të jem gjallë. Qëllimi themelor i imi është arsimimi i këtyre fëmijëve. Megjithatë, sa edhe arsimi, tejet e rëndësishme është edukata dhe përfitimi i shoqërisë nga fëmijët jetimë”, thotë Kurejshi për AA.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne