Bursa – Ballkanasit mirëpresin vendosjen e shqipes dhe boshnjakishtes në programin mësimor

Qytetarët me origjinë shqiptare dhe boshnjake, të cilët jetojnë në qytetin Bursa të Turqisë, e kanë mirëpritur vendosjen e gjuhës shqipe dhe boshnjake në programet mësimore për vitin e ardhshëm 2017-2018.

Kryetari i Shoqatës për Bashkëpunim dhe Kontakt të Vazhdueshëm me Ballkanin, Ali Sait Adiloglu (Ali Sait Adiloğlu), në një deklaratë për agjencinë e lajmeve AA, tha se shqiptarët, boshnjakët dhe të emigrantët e Ballkanit deri më tani nuk kanë pasur kërkesa që gjuhët amtare të tyre të mësohen në shkolla. Duke theksuar se emigrantët e Ballkanit në jetën e tyre të përditshme e përdorin lirshëm gjuhën amtare, ai tha  se shumë shoqata kanë siguruar kurse falas në disa gjuhë.

Emigrantët e Ballkanit nuk i harrojnë vlerat e tyre, thotë Adilollu duke shtuar se vendosja e gjuhës shqipe dhe boshnjake në programin mësimor do të kontribuojë në ruajtjen e kulturave të ndryshme brenda shoqërisë turke.

Qytetarët me origjinë shqiptare dhe boshnjake, të cilët janë të lidhur shpirtërisht me Republikën e Turqisë dhe janë të mbushur me dashurinë ndaj atdheut dhe flamurit, e kanë mirëpritur këtë vendim të Ministrisë së Arsimit Kombëtar. Vendosja e gjuhës shqipe dhe boshnjake në programin arsimor si lëndë zgjedhore, do të përforcojë edhe më shumë unitetin dhe solidaritetin e vendit tonë, u shpreh Adilollu duke vlerësuar se interesim më të madh ndaj gjuhës shqipe dhe boshnjake mund të ketë në qytetet si Bursa, Stamboll, Tekirdag, Izmir, Manisa, Elazig dhe Samsun.

Emigrantët e Ballkanit vazhdojnë të përjetojnë kulturën e tyre

Ndërkohë, kryetari i Shoqatës së Emigrantëve të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës (MAKDER), Taner Ëdemish (Taner Ödemiş), tha se vendimi për vendosjen e gjuhës shqipe dhe boshnjake në kuadër të programit mësimor është një lajm i gëzueshëm.

Ai tregon se një pjesë e rëndësishme e banorëve të Bursës përbëhet nga emigrantët e Ballkanit dhe se emigrantët zakonisht jetojnë në lagje të njëjta dhe shton se Në lagjet “Zafe” dhe “Namikkemal”, nëpër rrugë, kafene mund të shikoni njerëz, të cilët mes njëri-tjetrit flasin shqip dhe boshnjakisht. Emigrantët e Ballkanit vazhdojnë t’i ruajnë (traditat) dhe të përjetojnë kulturën e tyre. Por gjenerata e tretë dhe e katërt nuk e dinë gjuhën e tyre. Kjo praktikë e Ministrisë së Arsimit Kombëtar është e rëndësishme në drejtimin që gjenerata e re ta mësojnë gjuhën e tyre amtare.

Ëdemish, gjithashtu tha se shqiptarët, boshnjakët, maqedonasit, pomakët, torbeshët dhe elementet tjera etnike janë të lidhur me një dashuri të madhe me Republikën e Turqisë.

Ministria e Arsimit Kombëtar të Republikës së Turqisë ka vendosur që duke filluar që nga viti i ardhshëm shkollor në programin mësimor të përfshihet si lëndë me zgjedhje gjuha shqipe dhe boshnjake.

Ndërkaq Universiteti i Trakisë, që ndodhet në provincën perëndimore të Turqisë, Edrene, ka filluar përgatitjen e  teksteve shkollore për lëndën e gjuhës shqipe dhe asaj boshnjake.

Plan-programi mësimor, i cili përfshin gjuhën shqipe dhe atë boshnjake, i përgatitur sipas protokollit të nënshkruar në vitin 2016 mes Ministrisë së Arsimit Kombëtar të Turqisë dhe Universitetit të Trakisë, ishte pranuar javën e kaluar nga Këshilli Turk i Arsimit dhe Disiplinës./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress