Shqiperia

Bushati: Brenda vitit mbyllim punën përgatitore për fillimin e negociatave

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, deklaroi të hënën, në aktivitetin “Hapat e radhës së Shqipërisë pas konkluzioneve të Këshillit të Ministrave të BE-së: Pritshmëritë dhe detyrat e Shqipërisë”, se “duke u nisur nga precedenti që BE-ja ka vendosur me Malin e Zi dhe Serbinë, e dinim që do të ishte një vendim me afat kohor”.

“Mendoj që një vit është një kohë e mjaftueshme për punën përgatitore si për ne ashtu edhe për fqinjin tone”, tha Bushati.

Konkluzionet e Këshillit të BE-së, theksoi ministri Bushati, thjesht pasqyrojnë evolucionin e përmbushjes së kritereve në këtë proces. 12 kriteret janë vendosur në momentin kur Shqipëria ka aplikuar për t’u bërë anëtare e BE-së. SPAK-u dhe Vetingu nuk kanë qenë ndonjëherë kusht për Shqipërinë. Shqipëria ka zgjedhur vetë për të pasur prani ndërkombëtare në procesin e vetingut.

“Tashmë konkluzionet e Këshillit të BE-së pasqyrojnë atë që ka thënë edhe Komisioni Evropian. Sot askush nuk e vë në pikëpyetje që procesi i vetingut ka nisur dhe tashmë duhet që të vijojë ky proces. Tashmë duhet konsolidimi i reformave në fushën e zbatimit të ligjit”, tha ministri Bushati./ trt