Çanakalaja s’kalohet, njerëzimi s’rrëzohet

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Në historinë e shteteve ka ngjarje shumë të rëndësishme, të cilat kanë përcaktuar fatin e tyre. Këto ngjarje ndonjëherë mund të ndryshojnë madje dhe historinë botërore. Një prej këtyre ngjarjeve, të cilat kanë ndryshuar fatin e botës, është edhe Lufta e Çanakalasë, që ne e evokojmë prej tashmë 103 vitesh si Dita e Fitores dhe Përkujtimit të Dëshmorëve.

Disa nga qëllimet e kësaj lufte ishin pushtimi i Stambollit për të nxjerrë Shtetin Osman jashtë loje dhe për t’i dërguar ndihmë Rusisë cariste nëpërmjet detit, si dhe padyshim rrëzimi njëherë e përgjithmonë i Perandorisë Osmane. Për t’ia arritur këtij synimi, Blloku i Antantës, i cili formohej nga forcat ushtarake të vendeve si Britania e Madhe, Franca, Australia, Kanadaja, Zelanda e Re dhe India, u dynd në Çanakala me qindra-mijëra trupa. Antanta sulmoi me të gjitha forcat për të kaluar nga deti. Kur nuk ia arriti dot, zbarkoi mbi tokë në përpjekje për të kapërcyer vijën e mbrojtjes. Mirëpo përballë gjetën ushtrinë otomane, e cila, pavarësisht të gjitha pamjaftueshmërive teknike, e mbronte vatanin me forcën e imanit.

Betejat filluan në shkurt të 1915-s dhe përfunduan në muajin dhjetor të së njëjtit viti duke lënë pas qindra-mijëra të vrarë, të humbur, të plagosur, robër lufte dhe ndoshta një prej dhimbjeve më të mëdha të historisë, për t’u bërë frymëzim për elegji të panumërta. Meqë shumë ushtarë kishin rënë dëshmorë në luftërat e mëparshme, për këtë luftë nën shërbim ushtarak u morën djem edhe më të rinj. Për këtë arsye, Lufta e Çanakalasë njihet edhe si “Lufta e Pesëmbëdhjetëvjeçareve”. Kësaj lufte i është kushtuar edhe kënga e famshme elegjiake: “Hej pesëmbëdhjetëvjeçar, ah pesëmbëdhjetëvjeçar, rrugët e Tokatit me gurë, pesëmbëdhjetëvjeçarët janë duke ardhur, sytë e vajzave të përlotur…”

Atë vit, të rinj nga shumë lice të vendit morën pjesë në luftë. Liceu i Gallatasarajit, i Izmirit dhe i Konjës (hapur në kohën e Sulltan Abdyl Hamitit II dhe nga ku unë jam diplomuar) nuk patën maturantë pasi nxënësit e vitit të fundit të tyre shkuan të gjithë në Çanakala.

I famshmi Mehmet Akif Ersoj, në poezitë e tij me titull “Brezi i Asimit” dhe “Dëshmorëve të Çanakalasë”, këtë luftë dhe heronjtë tanë atje i përshkruar me këto vargje:

Bota e Vjetër, Bota e Re, të gjithë kombet,

Vlojnë si në kumë, tufan e kiamet;

Shtatë klimat e botës të ngulen përballë,

Bashkë me Australinë, sheh edhe Kanadanë!

Fytyrat të ndryshme, gjuhët, lëkurët bojë-bojë;

Të përbashkët vetëm një diçka kanë: Egërsinë njëlloj!

———-

O ushtar, dëshmor i rënë për këtë vatan!

Të parët sikur nga qielli të zbresin e ta puthin atë ballë, ia vlen.

Gjaku yt teuhidin po shpëton, sa i madh je ti!

Vetëm luanët e Bedrit gëzonin këtë madhështi.

Në këtë luftë, edhe pse nuk ka qenë e mundur të gjenden regjistrat zyrtarë, bëhet fjalë për rreth 250.000 martirë në radhët e ushtrisë osmane. Dëshmorët ishin kryesisht njerëz të shkolluar, në vit të fundit në lice, medrese ose studentë universiteti. Martirizimi i kaq shumë njerëzve të arsimuar shkaktoi më pas probleme jashtëzakonisht serioze për vazhdimësinë e shtetit.

Dëshmorët e ushtrisë otomane janë nga vende shumë të ndryshme, të cilat asokohe ishin pjesë e Perandorisë Osmane ose sepse kishin ardhur vullnetarisht. Krahas qyteteve tona që janë pjesë e kufijve të Turqisë së sotme, pjesëmarrje dhe dëshmorë ka gjithashtu nga kombet e Ballkanit, Lindjes së Mesme e Kaukazit.

Këtu dua të ndaj me juve ato çfarë kam dëgjuar me veshët e mi nga i ndjeri Xhaxha Iljasi, një veteran lufte nga Kosova. Shumë bashkëfshatarë të tij po ashtu kishin marrë pjesë në Luftën e Çanakalasë. Por gati të gjithë kishin rënë dëshmorë, me përjashtim të 3 ushtarëve. Rrugës duke u kthyer për në fshatin e tyre, ushtarët ishin shumë të pikëlluar dhe hutuar se çfarë do t’u thoshin fshatarëve të tjerë, sepse edhe shokët e tyre martirë kishin nëna, baballarë, motra, vëllezër, gra, të fejuara, të dashura, fëmijë dhe të afërm të tjerë që i prisnin me mall e lot në sy. Ata nuk donin të hynin që të tre njëherësh në fshat, pasi kështu fshatarëve do t’u priteshin shpresat dhe do të shpërthenin në përvajtim. Ndaj vendosën që të hynin në fshat me intervale të caktuara. Kur veterani i parë hyri në fshat, sikurse dhe pritej, të gjithë fshatarët e pyetën se ku ishin të tjerët. Ushtari u përgjigjet se “ishin duke ardhur”. Pas një jave, në fshat shkon edhe veterani i dytë. Njësoj si pararendësi, ushtari i dytë u përgjigjet me të njëjtat fjalë njerëzve që presin me përmallje e merak: “Po vijnë, po vijnë!” Të njëjtën gjë bën edhe veterani i fundit pas një jave apo 10 ditësh. Kështu, ata i përgatitën bashkëfshatarët e tyre dalëngadalë për fundit e hidhur dhe të pakthyeshëm.

Lufta e Çanakalasë është në thelb një qëndresë kundër imperializmit, të cilën kombet e shtypura e realizuan në radhët e ushtrisë osmane. Pavarësisht tërë epërsisë së tyre teknologjike, kombet e shtypura të rajonit tonë u bashkuan për të mos lejuar imperializmin që të përparojë më tepër. Në Çanakala dhe më pas në Luftën Çlirimtare, ndihmat e tyre nuk i kanë kursyer as myslimanët e Afganistanit, as të Indisë dhe as ata të Azisë Jugore. Parë në këtë aspekt, Epopeja e Çanakalasë është simbol i një shprese për njerëzimin. Sepse qarqet keqdashëse globale ushtrojnë ende sot e kësaj dite aktivitete pushtuese të ngjashme në shumë hapësira gjeografike. Çanakalaja është një ndër mësimet më të afërta, më të hidhura dhe më tronditëse se imperialistët s’do t’i arrijnë kurrë qëllimet e tyre për sa kohë që kombet e shtypura bashkëveprojnë dhe bëjnë qëndresë së bashku kundër çdolloj lëvizjeje okupatore; është mishërimi i kundërshtimit të vendosur dhe i rezistencës së bashkuar ndaj politikës “përça dhe sundo”.

Natyrisht që rezistenca kundër çdolloj sulmi imperialist është e çmuar. Megjithatë e rëndësishme është gjithashtu se si duhet të bëhet kundërshtimi dhe me çfarë diskursi. Për fat të keq, kur ballafaqohemi dhe u kundërvihemi sulmeve të sotme imperialiste, po dëshmojmë edhe zhvillimin e një gjuhe urrejtjeje/margjinalizimi. Është e vështirë për njerëzit që të mos urrejnë pushtuesit e tyre dhe të mos përdorin këtë retorizëm kundër tyre. Ja pra, Lufta e Çanakalasë dhe zhvillimet pas saj kanë cilësinë e udhëzuesit për ne edhe në këtë prizëm.

Vendet si Australia dhe Zelanda e Re, meqenëse nuk kanë shumë luftëra në historitë e tyre, iu qasën Luftës së Çanakalasë nga aspekti i krijimit të një kombi. Ndërsa ne jemi një komb pa të tjerë (armiq margjinal), që s’kemi fabrikuar të tjerë nga asnjë luftë, fitore apo humbje përgjatë historisë sonë. Jemi ndër kombet e rralla të botës në gjendje të bëhemi komb pa pasur nevojë për të tjerë. Kjo vlen edhe për Çanakalanë. Ne s’kemi prodhuar të tjerë as nga Çanakalaja pavarësisht 250.000 dëshmorëve tanë, humbjeve e dhimbjeve të shumta, lotëve e pikëllimit të jashtëzakonshëm. Pikëpamjen tonë për kësisoj ngjarjesh, perspektivën e historisë dhe qytetërimit tonë e përmbledhin shumë bukur këto fjalë të Ataturkut për Truparmatën e Australisë dhe Zelandës së Re (ANZAK): “Ej ju nëna që i keni dërguar bijtë tuaj në luftë nga vise të largëta, fshijini lotët! Bijtë tuaj janë në gjirin tonë. Ata do të flenë dhe prehen në qetësi. Tashmë ata janë bijtë tanë, pasi kanë dhënë jetën në tokat tona.”

Fabrikimi i gjuhës së urrejtjes dhe margjinalizimi kundër agresioneve imperialiste na bën më të vegjël dhe të mbyllur në vetvete. Po, është tepër e vështirë! Mirëpo sa më shumë që të vishemi e stolisemi me vlerat e qytetërimit tonë ndaj sulmeve të këtilla, aq më tepër do të rritet e forcohet shpresa jonë në emër të njerëzimit kundër çdolloj agresioni imperialist. Edhe kur sulmet imperialiste rezultojnë të suksesshme në terma kohorë afatshkurtër, njerëzimi s’do të rrëzohet dhe tirania nuk do të sundojë përgjithmonë nëse s’prodhojmë armiq margjinalë dhe s’mbyllemi në vetvete. Përpjekjet koloniale të përqendruara në interes, të cilat konsiderojnë të ligjshëm shfrytëzimin dhe pushtimin, do të humbasin e shpartallohet herët a vonë.

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne