Bota

Çavusoglu: 15 marsi të shpallet “Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit kundër Islamofobisë”

Në përvjetorin e sulmeve ndaj dy xhamive në qytetin Christchurch të Zelandës së Re më 15 mars, ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu përsëriti thirrjen që 15 marsi të pranohet si “Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit kundër Islamofobisë”.

Në deklaratën me shkrim të lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme thuhet se 51 persona, përfshirë një shtetas turk, të cilët u vranë në sulmin terrorist më 15 mars të vitit të kaluar në Christchurch, u përkujtuan me respekt.

Në deklaratë, e cila theksoi se 50 persona përfshirë dy shtetas turq u plagosën në këtë sulm, u kujtua se Mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI) në nivelin e Ministrave të Jashtëm u mbajt në Stamboll më 22 mars të vitit të kaluar pas sulmit.

“Me këtë rast ne përsërisim që të miratohet thirrja për pranimin e 15 Marsit si ‘Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit kundër Islamofobisë’ nga organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, veçanërisht nga Kombet e Bashkuara, ashtu siç u ra dakord në mbledhje dhe më pas u miratua në Samitin e 14-të të OBI-it të mbajtur në Mekë në maj 2019″, thuhet në komunikatën e MPJ-së.

Në mesazhin e publikuar në llogarinë e tij në median sociale ministri i Punëve të Jashtme Mevlut Çavusoglu kërkoi mëshirën e Allahut për Zekeriya Tuyan dhe të gjithë myslimanët, të cilët humbën jetën në këtë sulm.

Duke vënë në dukje se ka ardhur koha t’i thuhet ndalë islamofobisë dhe ksenofobisë, ministri Çavusoglu përsëriti thirrjen e tij që 15 marsi të shpallet si “Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit kundër Islamofobisë”./trt