Austria kufizon lëvizjet në vend për shkak të koronavirusit

Kancelari austriak Sebastian Kurz të dielën deklaroi se ka vetëm tre arsye pse qytetarët e këtij vendi do të duhej të dalin nga shtëpitë tyre, për punë, për blerjet e domosdoshme, siç është ushqimi, dhe ndihma për njerëzit e tjerë.

Udhëheqësi austriak tha se qeveria e tij ka kufizuar lëvizjen e njerëzve në të gjithë vendin si masë paraprake kundër përhapjes së koronavirusit të ri, të njohur si COVID-19.

Ai tha se njerëzit mund të dalin “vetëm ose me njerëzit me të cilët jetojnë në shtëpinë e tyre”.

Reagimi i Kurz erdhi pasi guvernatori i Tirolit njoftoi karantinë për rajonin.

Austria, një vend me popullsi me mbi 8,8 milionë njerëz, ka konfirmuar një vdekje dhe 800 të infektuar me koronavirus.

Guenther Platter, guvernatori i krahinës, njoftoi të dielën se njerëzit do të lejohen të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për blerje të ushqimit dhe ilaçeve ose për vizita te mjeku.

Koronavirusi u shfaq në qytetin kinez Wuhan në fund të vitit të kaluar dhe është përhapur në rreth 150 vende dhe territore për një kohë të shkurtër, duke shkaktuar mijëra të vdekur./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne