Bota

Çavusoglu: Kanë nisur “arratisjet” nga dollari, SHBA-ja po e përdor si mjet sulmi ekonomik

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, deklaroi të martën në mesditë se “arratisjet” nga dollari kanë nisur pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës filluan ta përdorin monedhën e tyre për të sulmuar të gjitha vendet.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun e tij rus, Sergey Lavrov, i cili po qëndron në Ankara për të marrë pjesë në Konferencën 10. të Ambasadorëve, Mevlut Çavusoglu u ndal veçanërisht mbi sanksionet ekonomike të SHBA-së dhe të Bashkimit Evropian.

“Ne kundërshtojmë sanksionet e njëanshme të SHBA-së apo të ndonjë vendi tjetër, por pranojmë dhe zbatojmë sanksionet e Kombeve të Bashkuara”, tha ai.

Shefi i diplomacisë turke theksoi gjithashtu se Ankaraja ka bërë me dije edhe më parë qëndrimin e saj kundërshtues ndaj sanksioneve të BE-së për Rusinë.

“Ne kemi thënë po ashtu se nuk do të zbatojmë vendimet e SHBA-së për të sanksionuar Iranin. Shqetësime në lidhje me sanksionet kundër Iranit kanë shprehur edhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, edhe vendet e Azipaqësorit. Epoka e kapadaillëkut duhet të marrë fund, detyrimi s’bën”, vijoi Çavusoglu.

Ministri i Jashtëm turk tërhoqi vëmendjen se BE-ja është thellësisht e shqetësuar nga vendimet e SHBA-së për të ndërmarrë masa detyruese ndaj Turqisë.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës filluan ta përdorin njësinë monetare të tyre për të sulmuar të gjitha vendet. Trendin e arratisjes nga dollari nisëm ta shohim që tani. Turqia e fortë ekonomikisht është e rëndësishme për të gjitha kushtet”, përfundoi ai./ trt

OPINIONE