Çavuşoğlu: Nuk i lamë të vetëm njerëzit e pafajshëm

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, në një fjalim të mbajtur në seancën e Kombeve të Bashkuara (OKB), ka deklaruar se, “Mesdheu, djep shekullor i qytetërimeve, u shndërrua në varr të njerëzve të pashpresë. Trupat e fëmijëve të mbytur janë turp për gjithë botën dhe njerëzimin”.

Ministri Çavuşoğlu, i cili ndodhet në New York për të marrë pjesë në takimet e seancës së 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së mbajti një fjalim në seancën me temë “Kompakt Global për Refugjatët”.

Gjatë fjalimit, Çavuşoğlu vuri në dukje se ka një rrjedhë të madhe të emigrantëve në nivel global, ku shtoi se në gjithë botën ka 260 milionë emigrantë, 68 milionë persona që janë detyruar të zhvendosen nga tokat e tyre dhe mbi 25 milionë refugjatë.

“Këto shifra në mënyrë të rregullt po rriten për shkak të urisë, luftërave civile, terrorizmit dhe jostabilitetit politik. Për këtë arsye asnjë qeveri nuk mund të injorojë këtë problem”, tha ai.

“Dua të nënvizoj këtë të vërtetë të tmerrshme”, tha Çavuşoğlu duke u shprehur se, “Mesdheu, djep shekullor i qytetërimeve, u shndërrua në varr të njerëzve të pashpresë. Trupat e fëmijëve të mbytur janë turp për gjithë botën dhe njerëzimin”.

“Nuk i lamë të vetëm njerëzit e pafajshëm”

Duke theksuar se këto observime po i bën ministri i Punëve të Jashtme i një shteti i cili mban më së shumti refugjatë në botë, Çavuşoğlu tha se, “Nuk i lamë të vetëm njerëzit e pafajshëm, ata nuk i lamë në duart e regjimit mizor apo të organizatave terroriste si DEASH dhe PKK”.

Ai theksoi se Turqia ka hapur dyert e saj për të gjithë që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare, pa dallim të racës, fesë apo sektit.

Duke nënvizuar se Turqia duke përdorur burimet e veta financiare, sipas kritereve të OKB-së ka bërë shpenzim prej 32 miliardë dollarësh, ministri i jashtëm turk tha se në raportin Global për Ndihma Humanitare “Turqia është shteti që ka ofruar më së shumti ndihma në këtë fushë”.

“ Barra e rëndë njerëzore e krizës në Siri u la mbi supet e Turqisë”

“Për fat të keq barra e rëndë njerëzore e krizës në Siri u la mbi supet e Turqisë. Angazhimet nuk u përmbushën. Nuk u dëgjuan thirrjet tona për më shumë përgjegjësi dhe ndarje të barrës, por ne vazhduam qasjen tonë humanitare. Së fundmi, një qëndrim të tillë e treguam në krizën në Idlib. Samiti trepalësh në Teheran dhe takimi i presidentit Erdoğan dhe presidentit të Rusisë Putin, në Soçi, parandaloi një tragjedi të madhe njerëzore. Ne treguam se përderisa vazhdojmë vendosshmërinë në luftën kundër terrorizmit, mund t’i mbrojmë civilët dhe hapësirat e banuara. Kemi zvogëluar në masë të madhe rrjedhën e emigrimit nga Siria për në Turqi dhe BE”, ka deklaruar Çavuşoğlu.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne