Çavusoglu: Somalia ka nevojë për ndihmën e Turqisë

Ky vlerësim i ministrit Çavusoglu erdhi në mbledhjen e Grupit të Kontaktit të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) për Somalinë, mbajtur në Doha të Katarit.

“Lehtësimi i vuajtjeve të Somalisë është së pari detyrë e umetit”, tha Çavusoglu duke shtuar se duhet të ndërtohet një konsensus për të siguruar paqen në Somali duke lënë mënjanë dallimet.

Ai vuri në pah se bashkëpunimi është i nevojshëm për të ngritur pozicionin e Somalisë në botë.

“Somalia ka nevojë për ndihmën tonë për të siguruar stabilitetin politik, për të ristrukturuar forcat e sigurisë kombëtare dhe për të krijuar një mjedis që do të lejojë zhvillimin ekonomik. Sot ne po punojmë me vëllezërit tanë somalezë në mënyrë aktive në terren për të mbështetur përpjekjet e tyre për zhvillim. Ndihmat tona humanitare dhe zhvillimore kanë kaluar 1 miliard dollarët deri më tani. Ne vazhdojmë të mbështesim reformën në fushën e sigurisë dhe ristrukturimin e forcave të sigurisë kombëtare të Somalisë”, u shpreh kryediplomati turk.

Çavusoglu shtoi se Turqia ka marrë pjesë në të gjitha nismat ndërkombëtare në Somali për të mbështetur vendin.

“Ne ofrojmë një rol lehtësues e ndërmjetësues në negociatat ndërmjet Somalisë dhe Somalilandit”, tha ai duke tërhequr vëmendjen se zgjedhjet që do të zhvillohen në vitin 2020, do të përbëjnë një pikë kthese për të ardhmen e Somalisë.

Shefi i diplomacisë turke u prit më vonë nga Emiri i Katarit, Sheiku Tamim bin Hamad al-Thani.

“Ne e falënderojmë Katarin për mbështetjen e tij ndaj operacionit «Burimi i Paqes» të Turqisë”, shkroi Çavusoglu në “Twitter” pas takimit mes tyre.

Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” më datë 9 tetor për të eliminuar të gjitha organizatat terroriste nga verilindja e Sirisë dhe për të krijuar një zonë të sigurt përgjatë kufirit duke i hapur kështu rrugën kthimit vullnetar të refugjatëve sirianë./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne