Çavusoglu: Turqia dhe Maqedonia së shpejti do të jenë aleate zyrtare në NATO

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu deklaroi se me Maqedoninë e Veriu, të cilën e cilësoi si aleate natyrore së shpejti do të jenë edhe aleatë zyrtarë në NATO.

Në kuadër të kontakteve në kryeqytetin Shkup të Maqedonisë së Veriut, ministri Çavusoglu pati takime edhe me homologun e tij Nikola Dimitrov.

Në konferencën e përbashkët për shtyp të organizuar pas takimit ministri Çavusoglu tha se gjatë mbledhjeve të mbajtura të hënë dhe të martën i bënë një vlerësim marrëdhënieve dypalëshe, ndërsa shtoi se “Dy vendet tona kanë marrëdhënie të shkëlqyera, Maqedonia është aleate e jonë natyrore, por tani do të jemi edhe aleatë zyrtarë në NATO”.

Çavusoglu shprehu kënaqësinë nga ratifikimi para vizitës së tij të protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO nga Kuvendi i Madh Popullor i Turqisë, ndërsa shtoi se mbështetja e Turqisë do të vazhdojë edhe gjatë procesit të ardhshëm.

Kryediplomati turk tha se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut dhe Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike nuk është i rëndësishëm vetëm për vendet që synojnë të anëtarësohen, por në veçanti ka rëndësi kritike për tërë rajonin, ndërsa uroi që Maqedonia në tetor të fillojë negociatat e anëtarësimit në BE.

Duke folur për marrëdhëniet dypalëshe, ministri turk tha se vëllimi tregtar midis dy vendeve rritet në mënyrë të rregullt dhe stabile, si dhe shtoi se është e nevojshme të bëhen më shumë përpjekje për arritjen e objektivit prej një miliardë dollarësh.

Ai rikujtoi se në Maqedoninë e Veriut gjenden rreth 100 kompani turke, për të cilat tha se shumica janë ndër më të fuqishmet e Turqisë, ndërsa falënderoi vendin mikpritës për mbështetjen që u ofron këtyre kompanive./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne