Çavusoglu: Turqia do t’i blejë sistemet Patriot nëse ShBA-ja i shet

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlyt Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) bëri të ditur se nuk ka garanci për blerjen e sistemeve Patriot nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në qoftë se kjo e fundit nuk i shet atëherë do të blejnë një sistem të dytë të S-400-ve nga Rusia.

Në prononcimin e bërë për një kanal televiziv privat, ministri Çavushollu tha se gjatë vizitës së javës së kaluar në ShBA ai u shpjegoi zyrtarëve amerikanë arsyen se pse Turqia është e detyruar t’i blejë sistemet S-400, ndërsa ata i thanë se “ne nuk dinim që situata është e tillë”.

Çavushollu theksoi se blerja e S-400-ve nga ana e Turqisë nuk bie ndesh me anëtarësimin e saj në NATO, ndërsa rikujtoi se disa anëtare të Aleancës kanë blerë sisteme S-300.

Ndërkaq për pretendimet se sistemet S-400 paraqesin kërcënim për avionët luftarakë të gjeneratës së re F-35, ai tha se Turqia i ka propozuar ShBA-së të bëjnë bashkë inspektimin e këtij sistemi.

“Ne propozuam formimin e një ekipi të përbërë nga ekspertët, i cili do të studiojë se a paraqet apo jo ky sistem kërcënim për sistemet e NATO-s me në krye avionët F-35. Si mund të bëhet që ky sistem, që do të jetë nën kontrollin e Turqisë, të paraqesë kërcënim. Ne ende nuk morëm ndonjë përgjigje për delegacionin e përbashkët teknik”, bëri të ditur Çavushollu.

“Turqia si një vend sovran, vendimet do t’i marrë vet”, theksoi Çavushollu, ndërsa shtoi se ShBA-ja vazhdimisht po bën fjalë për sanksione.

“ShBA-ja është pala e cila dëmton aleancën. Ata duke bashkëpunuar me organizatën terroriste YPG/PKK dëmtojnë aleancën tonë”, bëri të ditur shefi i diplomacisë turke.

“Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo bëri të ditur se vendi i tij nuk garanton shitjen e sistemeve Patriot Turqisë”, tha Çavushollu, ndërsa vijoi me këto fjalë: “Nëse ShBA-ja i shet sistemet Patriot ne do t’i blejmë, por nëse jo atëherë do të marrim edhe sistemin e dytë të S-400-ve nga Rusia apo ndonjë sistem tjetër. Ne kemi nevojë urgjente për këto. Vendi ku ndodhemi nuk është një kopsht trëndafilash”./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne