Çavusoglu: Turqia pret që Kosova t’ia dorëzojë ‘Gulenistët’

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që t’i dorëzojnë tek ato turke gulenistët, pasi siç tha ai “Feto është organizatë terroriste”.

“Fetoja është organizatë terroriste dhe ka vrarë dhe ka gjuajtur njerëzit tanë. Ne nuk duam që vendi jonë vëlla t’i lejojë terroristët të jetojnë këtu dhe duan që t’i kthejnë të gjithë ata që jetojnë në Kosovë”, është shprehur ministri.

Ai ka shtuar se në takim e sotëm me ministrin Behgjet Pacolli kanë biseduar edhe për integritetin territorial të Kosovës dhe integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Mbështesim edhe dialogun Kosovë- Serbi, të cilit i kushtojmë një rëndësi të madhe dhe do të vazhdojë mbështetja jonë në këtë drejtim”, u shpreh Çavusoglu.

Ministri ka folur edhe për mbështetjen e Turqisë për Kosovën në fushën e investimeve ekonomike.

“Firmat turke në Kosovë janë në rritje e sipër dhe dëshirojmë që të vazhdojmë këtë partneritet me Kosovën. Shumë shpejt do të organizojmë edhe forume të tjera të punës dhe nëse arrijmë këtë do të fuqizojmë bashkëpunimin tonë në treg”, u shpreh ministri.

Ministri turk tha se organizata për arsim “Marif” ka dëshirë të hapë shkolla dhe është e gatshme të marrë përsipër edhe shkolla të tjera në Kosovë, nëse i lejohet, ndërsa sërish përmendi shkollat e Gulenit ku tha se Feto është organizatë terroriste dhe u bëri thirrje institucioneve kosovare që t’ua dorëzojnë gulenistët.

Ndërsa, ministri i Punëve të Jashtme në Kosovë, Behgjet Pacolli tha se nga ministri i Turqisë, të cilin e quajti mik historik, ka marrë garancion që Turqia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën.

“Ne biseduam për sfidat dhe të arriturat. Kosova tani gjendet para disa sfidave për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Unë e njoftova edhe për dialogun. Nuk mungoi premtimi i Turqisë dhe më premtoi që edhe këtu do të na mbështes”, u shpreh Pacolli.

Pacolli shtoi se në këtë takim kanë folur edhe për investimet ekonomike në Kosovë.

“Kam inkurajuar Turqinë që të mos ndalen sepse në Kosovë ka mundësi për investime dhe bashkëpunim”, u shpreh Pacolli.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne